Fundimi, djali me prapambetje mendore që jeton i lidhur, përjashtohet nga ndihma ekonomike
Fundim Dakavelli jeton në Shijak dhe ka lindur me prapambetje të rëndë mendore. Familja e tij është e detyruar ta mbajë të lidhur 24 orë në 24, pasi ai shfaq agresivitet të lartë dhe mund të lëndojë fizikisht veten dhe familjarët.
Veç mungesës së institucioneve që duhet të kujdesen për të dhe e detyrojnë familjen ta mbajë djalin në kushte çnjerëzore, atij i është hequr dhe ndihma ekonomike.
Para 10 vitesh, familja iu drejtua Komisionit Mjekësor për Caktimin e Aftësisë për Punë (KMCAP) në Durrës ku ai mori statusin e paraplegjikut dhe ndihmënekonomike, të cilën e mbajti deri në 2015-ën.
Në këtë kohë dosja e Fundim Dakavellit u nis në KMCAP-in epror, ku me ndryshimin e ligjit ai nuk u njoh më si i sëmurë paraplegjik, duke mos u klasifikuar në asnjë prej grupeve që marrin ndihmën ekonomike.
Familja e tij ka denoncuar rastin në emisionin investigative “Stop”. Babai i Fundimit ka thënë për “Stop” se gjithçka nga pensioni i tij prej 135 mijë lekësh të vjetra shkon për kujdesin ndaj djalit.
Vëllai i tij ka treguar se kujdeset për të sëmurin 24 orë në 24, duke e ushqyer dhe ndërruar mesatarisht 4 herë në ditë.
Familja Dakavelli, e përbërë prej 10 personash, në kushte të vështira ekonomike nuk merr asnjë ndihmë nga shteti.
/l.k./