Fotografia që i ndryshoi jetën “shitësit të stilolapsave”
Fuqia e internetit tregoi dhe njëherë që mund të ndryshojë jetën e njerëzve. Mund të kishte qenë një tjetër tragjedi por një fushatë në rrjetet sociale, e ktheu historinë e refugjatit sirian në një histori suksesi.
Të martën, Gissur Simonarson,aktivist nga Oslo, postoi një foto në rrjetet sociale, ku shihej një burrë palestinez që shiste stilolapsa në rrugë, me vajzën e përgjumur në krahë.
Fotografia prekëse tregonte Abdulin, babain që rrit i vetëm dy vajzat e tij. Mijëra njerëz janë të detyruar të largohen nga Siria dhe të lënë mbrapa jetët e tyre. Shumica nuk arrijnë dot të mbledhin as lek për të ushqyer familjet e tyre, dhe Abdul ka gjetur shitjen e stilolapsave si një mënyrë për të mbijetuar.
“Është një foto tmerrësisht emocionale. Mund të shohësh shikimin në sytë e tij dhe mënyra sesi ai i mban ato stilolapsa sikur të jenë gjithçka që ai ka në botë,” ka thënë aktivisti për CNN.
Brenda disa orësh, vërshuan ofertat për ta ndihmuar shitësin e stilolapsave, por Simonarson nuk e dinte as si quhej ai dhe as kush e kishte shkrepur foton. Kështu, në rrjetet sociale nisi një fushatë për gjetjen e burrit në foto nën hashtag-un #BuyPens (blini stilolapsa).
Fushata e hapur online, arriti të mblidhte brenda 24 orëve rreth 117,000 dollar.
“Kur dëgjoi për shumën, Abdul shpërtheu në të qara dhe vetëm falenderonte për bujarinë,” ka thënë Simonarson. Abdul është shprehur se më në fund mund të çojë në shkollë vajzat e tij të vogla.