FOTO/ Vizita e Vuçiç në Tiranë
Kryeministri Aleksandër Vuçiç mbërriti në Pallatin e Brigadave ku u mikprit nga Kryeministri Edi Rama me një ceremoni zyrtare.
Pas ekzekutimit të himneve kombëtare të të dy vendeve, dy kryeministrat zhvilluan një takim kokë më kokë që zgjati rreth 40 minuta. Takimi u pasua nga bisedimet mes dy delegacioneve.
Kjo është e para vizitë zyrtare e një kryetari qeverie të Serbisë në kryeqytetin shqiptar.
Gjatë vizitës dy ditore në Tiranë, Vuçiç do të pritet edhe nga Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, dhe rreth orës 16.00 do të takohet me Presidentin e Shqipërisë, Bujar Nishani, e më pas me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza” të Tiranës rreth orës 10.55 minuta, ku u prit nga zv.kryeministri Niko Peleshi.
Në këtë vizitë, Vuçiç shoqërohet nga Zv/Kryeministrja dhe Ministre e Transportit dhe Infrastrukturës, Zorana Mihajloviç, nga ambasadori serb në Tiranë, Miroljub Zariç.
Vuçiç poston në Twitter: Presim takime produktive
“Mbërritëm në Tiranë. Presim takime tepër produktive dhe shumë të frytshme në vizitën dy ditore” shkruan në Twitter kryeministri Vuçiç sapo zbriti në Tiranë.
Në axhendë është paraparë edhe një darkë zyrtare mes dy delegacioneve. Të enjten, kryeministri Vuçiç do të jetë pjesë e Forumit Ekonomik të Vjenës.