Foto-reportazh/ Pazari të “Avni Rustemi” ka… skaduar?
Nga Entela Resuli
Në këto kohë kur gjithmonë e më shumë po flitet për produkte të skaduar, data skadencë të falsifikuara në pakot ushqimore apo edhe mallra konsumi për fëmijë, një tjetër panorame e shëmtuar të shfaqet para syve. Ndodhemi në sheshin “Avni Rustemi”, aty ku pak metra larg qendrës së Tiranës, gjendet një nga tregjet më të vjetra të kryeqytetit, i njohur me emrin “Pazari i Ri”. Nëse bën një xhiro nga këto anë, e sigurt që pas pak minutash qerpikët e tu do të duken si gjethet e palmës të rënduara nga pluhuri, dhe jo vetëm qerpikët. Imagjinoni ç’ndodh me: djathin, gjizën, peshkun, ullirin, pulën… që shiten aty, pranë e pranë njëri-tjetrit.
Në këtë vëzhgim të bërë, gjëja e parë që të tërheq vëmendjen është aroma e pakëndshme dhe ambienti aspak higjenik. Duket sikur e keqja më e madhe vjen nga nëntoka se sa nga sipër saj, e kemi fjalën për ujërat e zeza që shfaqen herë pas here. Gjithashtu, mënyra e organizimit lë për të dëshiruar, për të mos thënë që çdo gjë është “rrumpallë”. Duhet pranuar që vit pas viti ka patur përmirësime, por sot e kësaj ditë është ende shumë larg standardit që duhet të ketë një treg. Ndryshimet të ngjajnë me qepjet që mund t’i bëhen një cope të grisur, të cilën nuk ke ku ta kapësh më parë.
Pamja që të ofrohet sot është një katrahurë. Kudo sheh produkte ushqimore në qiell të hapur mes mizave, pluhurave dhe tymit të dhjetëra makinave që e përshkojnë çdo ditë këtë treg. Ajo është një nga zonat me intensitet të lartë lëvizjeje të automjeteve. Me një infrastrukturë rreth e rrotull që është e pamundur ta mendosh, por që është e vërteta që këtë treg e përfaqëson. Mjafton vetëm një herë të kalosh përmes këtij tregu, kupton dhe shikon se ai është i tejmbushur me produkte të ndryshme ushqimore duke filluar nga fruta-perimet e deri te llojet i mishrave që ofron për shitje. Peshqit gjenden nëpër dyqane, por me dyer hapur, ose dyqane me të gjithë faqen e murit në anë të rrugës të hapur. Por së paku, tregtarët e peshkut zakonisht e përpiqen ta mbajnë të larë trotuarin dhe rrugën përpara tyre, duke menduar se do t’i mbrojnë nga pluhuri produktet e tyre. Kjo është pamja që ofrohet në qëndër të kryeqytetit.