FOTO/ “Çmenden” çmimet në bregdet, qytetarët denoncojnë abuzimin duke fotografuar faturat
Bashkë me verën e nxehtë duket se janë nxehur madje “çmendur” fare edhe çmimet. Në mjaft lokale që nga ato më të thjeshtat, baret dhe deri te restorantet, turistët po përballen me fatura të kripura dhe çmime marramendëse duke nisur që nga artikujt më të përdorshëm siç janë uji dhe birrat deri tek ato më të preferuarat, prodhimet e detit.

Edhe kjo faturë tjetër i ka kushtuar disa pushuesve mbi 100 mijë lekë ku sipas komenteve të tyre janë detyruar të paguajnë 30 mijë lekë për dy racione karkaleca me 18 copë syresh në të dyja prej tyre.

Nga Vlora vijnë çudi të tjera! Dhe një mëngjes këtu ka kushtuar 30 mijë lekë ku një kokërr vezë është ngrënë me 2000 lekë të vjetra, një gotë qumështi 1 mijë lekë dhe një copë djathë 2500 lekë dhe e gjithë fatura me qumësht vezë dhe djathë 30 mijë lekë.

Në Shëngjin edhe birra blihet më shtrenjtë se Uiski. Një gotë e vogël plastike si kjo foto publikuar në rrjetet sociale ka kushtuar plot 4000 mijë lekë dhe këtij klienti që për të shuar vapën i duheshin 2 gota ka paguar plot 8000 mijë lekë.
Jehona e këtyre çmimeve ka marrë dhenë dhe në mediat kosovare, ato ndajnë komente të përbashkëta se pronarët e restoranteve në Shqipëri kanë vendosur të “rrjepin” turistët dhe sidomos ata kosovarë, duke i cilësuar çmimet këtu madje shumë më të larta dhe se në Greqi dhe vende të tjera të Bashkimit Europian.