Fëmijët e prekur nga kanceri kërkojnë ilaçet, QSUT u liston përjekjet e dështuara për t’i siguruar ato
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ka reaguar pas tubimit të organizuar nga shoqata “Together for Life” , ku fëmijët e prekur nga kanceri dhe familjarët e tyre i bënë thirrje shtetit shqiptar t’ju sigurojë ilaçet që u nevojiten për të vazhduar jetën.
Asnjë shpresë nuk vjen për këta fëmijë nga njoftimi për shtyp i publikuar nga QSUT.
“Me gjithë përpjekjet e vazhdueshme dhe fondin e vendosur në dispozicion në dy vitet e fundit, procedurat e zhvilluara për prokurimin e barit L-Asparaginase për vitet 2015-2016 kanë dështuar në mënyrë të përsëritur për shkak të mospjesëmarrjes në garë të asnjë prej kompanive farmaceutike që e tregtojnë këtë bar”, thotë njoftimi për ilaçin L – Asparaginase që është i domosdoshëm për kemioteriapinë.
Njoftimi për shtyp i QSUT/ Foto: “Shëndet Plus”
Njoftimi tregon dështimin e njëpasnjëshëm të QSUT për të siguruar këtë medikament dhe mbyllet duke thënë se përpjekjet për ta siguruar atë po vijojnë.
Ndërkohë fëmijët e prekur nga kanceri janë në rrezik të vazhdueshëm për jetën pasi prej javësh ky ilaç nuk gjendet askund, madje as në farmacit private ku më parë e blinin duke paguar shuma të konsiderueshme.
Shoqata “Together for Life” dhe gazeta “Shëndet Plus” përmes protestës së organizuar dy ditë më parë kanë ngritur zërin për këtë problem tepër shqetësues, duke u përpjekur të shtyjnë institucionet të bëjnë thjesht detyrën e tyre dhe të zbatojnë ligjet që janë në fuqi.
Kjo thirrje ka gjetur mbështetje e shumë qytetarëve, shoqërisë civile dhe medias, por ende nuk ka asnjë reagim serioz nga institucionet përgjegjëse.
/l.k./