Fati i fëmijëve sirianë, nga lufta tek shfrytëzimin në punë
Hamza ulet çdo ditë në makinën qepëse të një fabrike të zymtë në jug të Turqisë, ku punon 12 orë, gjashtë ditë në javë.
Ai është vetëm 13 vjeç por di të bëjë shumë mirë të gjitha punët në fabrikë: ai di tashmë si të përfshijë lëkurën brenda skeletit të këpucës, si ta ngjisë atë me mastic apo të qepë në makinë qepëse.
“Ai mund të bëjë rreth 400 këpucë në ditë, është një burrë i vërtetë”, thotë menaxheri i fabrikës.
Hamza është vetëm një fëmijë dhe si ai, janë rreth 2/3 e punonjësve në këtë fabrikë.
Sipas UNICEF, më shumë se gjysma e 2.7 milionë refugjatëve sirianë të regjistruar në Turqi, janë fëmijë dhe rreth 80% e tyre nuk kanë akses në shkollë. Ata thonë se shumë fëmijë refugjatë duke qenë se nuk frekuentojnë shkollën, janë futur në punë dhe paguhen nën nivelin e minimumit jetik. Por sipas mësuesve, një pjesë e mirë e fëmijëve sirianë që janë në shkollë e braktisin atë shumë shpejt, pasi thonë se kanë nevojë të punojnë për të mbështetur familjen.
Jeta e djaloshit 13- vjeçar është shembulli që tregon se përse po ndodh kjo gjë. Dy vite më parë, babai i tij u ekzekutua nga ISIS në Sirinë Veriore, ndaj familja e tij emigroi drejt Turqisë për të shpëtuar. Nëna e tij gjeti një punë si pastruese, ndërsa pronarët i dhanë mundësinë e strehimit në një shtëpi me qira të ulët. Në mënyrë që të sigurohej buka e përditshme, Hamzai dhe vëllezrit e tij gjetën punë në një fabrikë këpucësh.
“Do të më pëlqente të shkoja në shkollë. Më ka marrë malli të lexoj dhe të shkruaj. Por nëse shkoj në shkollë, askush nuk do të sjellë ushqim në shtëpinë timë”, thotë Hamza.
Shumica e të rriturve shpesh herë e kanë të vështirë për të gjetur punë, ndërkohë që punësimi i fëmijëve është më i lehtë. “Të rriturit janë më pak vunerabël se sa fëmijët, dhe punëdhënësit duan punëtorë të rinj ndaj të cilëve ata mund të kërkojnë më shumë rendiment dhe që janë më të përkushtuar”, thotë Sezen Yalin nga një organizatë turke për të drejtat e njeriut. /m.g
Burimi: The Guardian