Familjet rome dhe egjiptiane, peticion kundër dëbimit nga zona e Bregut të Lumit
Zona e Bregut të Lumit, ku jetojnë rreth 75 familje rome, do të përfshihet nga një projekt për rehabilitimin e shtratit të lumit. Shumë prej barakave dhe shtëpive të banorëve që jetojnë aty do të prishen por nuk dihet se ç’do të bëhet me ta.
Për këtë arsye, banorët e bregut të lumit, i kanë nisur një ankesë të përbashkët Avokatit të Popullit. Ata thonë se para disa ditësh aty është paraqitur një person që u ka thënë se duhet të largohen nga banesat e tyre menjëherë.
“Lajmërimi ka qenë me gojë dhe nuk është sqaruar se çfarë institucioni përfaqësonte ai person. Ne jetojmë në atë zonë prej shumë vitesh, kushtet e jetesës janë të vështira dhe ne përballemi çdo ditë me pasiguri ushqimore, fizike dhe shëndetësore, por një dëbim i mundshëm nga banesat tona, do ta përkeqësone më tej jetën tonë”, thuhet në ankesën drejtuar Avokatit të Popullit.
Aktivistët rom dhe egjiptian, prej kohësh kanë dërguar kërkesë në bashki për të marrë më shumë informacione, por asnjëherë nuk kanë përgjigje. Sot ata i kanë nisur bashkisë Tiranë një peticion me firmat e banorëve, për të kërkuar moszbatimin e këtij urdhri që është në kundërshtim me kushtetutën dhe praktikën e institucioneve ndërkombëtare.
“Dëbimi po bëhet pa asnjë konsultim me banorët dhe pa iu ofruar asnjë mundësi alternative strehimi të qendrueshme dhe të përballueshëm për ta”, shkruhet në kërkesën drejtuar bashkisë. /m.g