“Fajtor pa faj”
Pranvera Berati, pjesëmarrëse në shkollën verore “Multimedia dhe Aktivizmi 2017”, sjell për Historia Ime, një shkrim mbi fenomenin e vetëvrasjes shoqëruar me një seri fotosh.
A luftohet me vetveten? Po nëse luftojmë a quhemi fajtorë pa faj? Jeta është oazi që të ofron suksesin, dështimin, lotin e gëzimit dhe të hidhërimit. Duhet të luftojmë me vetveten për të përjetuar ndjesitë e ndryshme të jetës dhe nëse i dorëzohemi uljeve të saj përfundojmë fajtorë pa faj. Sfidat janë ato që na bëjnë më reflektues, më të rritur, më të fortë për të përballuar jetën e për të dalë fitimtarë ndaj saj. Asnjë sfidë, askush dhe asgjë nuk mund ta marrin jetën tënde.
Fenomeni vetëvrasje duket se po merr përmasa të mëdha në shoqërinë shqiptare duke e rritur numrin e personave që e kryejnë atë. Vlen të theksohet se është për të ardhur keq që mosha më e prekur e këtij fenomeni po kthehet ajo 13-25 vjeç. Arsyet janë nga më të ndryshmet duke filluar nga një notë jokaluese në shkollë, duke kaluar tek një humbje dashurie e deri tek kushtet ekstreme ekonomike.
Absurde apo jo këto arsye, pasoja është fatale duke plagosur zemrën e një babai dhe duke rrënjosur në zemrën e një nëne humbjen e një biri /bije dhe çka është më e rëndësishmja fundin e jetës tënde. Mendoni se vetëvrasja shënon zgjidhjen e problematikës tuaj? Nuk mendoni se vetëvrasësit janë egoistë? Mendojnë vetëm për vete dhe harrojnë hijen e dhimbjes që lënë pas. Në momentin që ata e marrin këtë iniciativë, tregohen guximtarë, por a nuk do të ishte më mirë që atë guxim ta përdornin për të përqafuar jetën?
Unë besoj se vetëvrasja është akt frikacak, të tjerë akt zgjidhjeje momentale, psikologët e përkthejnë akt depresiv, familjarët dhimbje të pafundme, ndërsa vetëvrasësit mbeten fajtorë pa faj. Të mos harrojmë se Askush nuk është perfekt, ndaj sigurohuni që çastet e saj të jenë të tilla.
* Nga: Pranvera Berati
13 të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, pjesëmarrës në shkollën verore “Multimedia dhe Aktivizmit 2017”, u trajnuan mbi përdorimin e videos, fotografisë, tekstit, audios dhe artit të rrugës dhe ndërthurjen e tyre me aktivizmin dhe gazetarinë qytetare.
/l.k./