Dita Ndërkombëtare e Rinisë/ Totozani: “Është shqetësues shfrytëzimi i të miturve në punë të zezë”
12 gushti shënohet si Dita Ndërkombëtare e Rinisë. Duke marrë shkas edhe nga ngjarja e fundit në landfillin e Sharrës ku mbeti viktimë një 17-vjeçar, Avokati i Popullit, Igli Totozani, është shprehur me shqetësim për ata qindra të rinj shqiptarë që shfrytëzohen në punë të zezë dhe për ata që shohin si zgjidhje të vetme për të ardhmen e tyre largimin nga Shqipëria.
Totozani ka thënë se autoritetet shtetërore përgjegjëse, qendrore dhe lokale, tregohen krejt indiferentë ndaj shfrytëzimit të punës së të miturve edhe gjatë këtij sezoni turistik.
“Janë të shumtë fëmijët që punojnë në bregdet, duke u shërbyer pushuesve, duke shitur prodhime të ndryshme, për një kohë të gjatë dhe nën temperatura të larta. Një gjë e tillë shkel të gjitha normat e mirërritjes dhe mirëqenies së këtyre të miturve, duke mos u garantuar atyre një jetë normale”.
Në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, Avokati i Popullit i ka bërë thirrje Inspektoriatit Shtetëror të Punës të ushtrojë kontrolle dhe monitorime të shpeshta për të mos lejuar punën në të zezë si dhe Shërbimit Social Shtetëror apo njësive të mbrojtjes së fëmijëve të ofrojë shërbime për parandalimin e shfrytëzimit të të miturve në punë.
/m.g/