Dita e tretë e qëndresës tek “sheshi i Zharrëzës”
Edhe ky mëngjes i gjeti protestuesit e Zharrëzës tek sheshi përpara ministrisë së Energjisë dhe Industrisë. Kanë kaluar tashmë dy net në qiell të hapur dhe thonë se nuk kanë për t’u larguar derisa kërkesat e tyre të plotësohen.
Takimi me përfaqësues të ministrisë së Energjisë dy ditë më parë u duk se ishte frytdhënës. Banorëve iu është premtuar sërish se do të dëmshpërblehen dhe do të plotësohen kërkesat e tyre. Por këtë herë ata kanë vendosur të mos tërhiqen derisa të kenë në dorë vendimin e protokolluar.
Ministria e Energjetikës është shprehur në media se e kanë zgjidhur problemin, por një nga qëndrestarët e përgënjeshtron këtë fakt. Ai thotë se në takim përfaqësuesit e ministrisë ishin treguar të gatshëm për të gjetur zgjidhje, por dje shefi i kabinetit të ministrit iu ka dhënë një draft me premtimet ku mungonin disa nga pikat që kishin rënë dakord.
“Ne e kthyem mbrapsht pasi kishte disa devijime te vogla. E kemi riformuluar dhe nesër do t’ia dorëzojmë shefit të kabinetit ta protokollojë sipas rregullave”, ka thënë një prej qëndrestarëve.
Pas 17 ditëve grevë urie, 4 ditë marshim dhe 2 net në qiell të hapur, banorët thonë se do të vazhdojnë rezistencën deri në zgjidhje të problemit.