Pavarësisht përkeqësimit të kushteve të motit dhe përgjigjes së prerë të Kryebashkiakut Veliaj se projekti i zgjerimit të rrugës do të vazhdojë, sërish banorët e Unazës së Re kanë vendosur të mos i ndalin protestat deri në zgjidhje të problemit.Ditën e djeshme banorët vazhduan të mbajnë të bllokuar Unazën. Disa prej tyre deklaruan se ditët në vijim do të vendosin çadra në rrugë për të mbrojtur pronën e tyre me çdo kusht.
Në lidhje me problematikën e krijuar reagoi dhe institucioni i Avokatit të Popullit, ku në një deklaratë për shtyp deklaroi se: “Institucioni i Avokatit të Popullit po e ndjek me vëmendje situatën e krijuar mes qindra qytetarëve dhe autoriteteve shtetërore si pasojë e zgjerimit të Unazës së Re. Institucioni i Avokatit të Popullit vëren se është e domosdoshme që jo vetëm çdo veprim i cili cënon pronën e qytetarëve të kryhet në konsultim e në mirëkuptim me ta, por edhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin në çdo rast përpjekje për dialog me synim arritjen në një zgjidhje që nuk lë asnjë qytetar shqiptar të humbasë besimin tek institucionet tona dhe shteti ynë i përbashkët.”
Përfaqësues të Institucionit kanë ndjekur dhe zhvillimet e protestës ditët e sotme duke ju bashkuar protestuesve. Juristë të Avokatit të Popullit, po monitorojnë situatën dhe trajtimin e protestuesve nga autoritetet policore.
Dita e sotme shënon ditë e 16-të të protestës dhe njëherazi dhe ditën kur duhet të fillojnë punimet për zgjerimin e rrugës. Ndërkohë protestuesit njoftuan se në orën 17:00 do të mblidhen sërish për të bllokuar rrugën e për të bërë rezistencë ndaj vendimit të prishjes së banesave.
Në rrjete sociale po qarkullon gjithashtu një video e publikuar nga FaxNews, ku Kryeministri Edi Rama u premton banorëve të zonës në fushatën elektorale të vitit 2013 se banesat “nuk prishen e s’kanë si të prishen” dhe se janë ndërtime të bëra me kursime, me gjak”. Më poshtë video: