Dita Botërore Kundër Varfërisë; Sa familje shqiptare jetojnë në varfëri ekstreme?
Në 17 tetor 1987 më shumë se 100 mijë njerëz u mblodhën në Paris në nderim të viktimave të varfërisë ekstreme, dhunës dhe urisë. Që prej vitit 1993 kjo ditë u njoh zyrtarisht nga Kombet e Bashkuara e që atëherë janë shënuar aktivitete ndërgjegjësuese për nevojën e zhdukjes së varfërisë veçanërisht për vendet në zhvillim.
Avokati i Popullit, Igli Totozani, shprehu sot shqetësimin se shumë familje shqiptare vazhdojnë të jetojnë në kushte varfërie ekstreme, ndërkohë që nuk ka asnjë zhvillim për llogaritjen dhe shpalljen e minimumit jetik nga ana e strukturave qeveritare, të ngarkuara me këtë detyrim ligjor.
Pas një insistimi 5 – vjeçar pa rezultate konkrete nga ana e strukturave qeveritare, institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur punën për shpalljen e minimumit jetik në Shqipëri. Ky angazhim mbështetet në një studim të thelluar, realizuar nga ekspertë të ekonomisë, mbi bazë të një metodologjie bashkëkohore dhe të dhënave të siguruara nga institucionet shtetërore.
Sa familje shqiptare jetojnë në varfëri absolute:
- Sipas të dhënave zyrtare të treguesve të nivelit të varfërisë rezulton se:
- Rreth 14.3% të familjeve jetojnë në varfëri absolute (e përcaktuar në Shqipëri si numri i personave me konsum mujor real nën 4891 lekë)
- 2% jetojnë në varfëri ekstreme (e përcaktuar si numri i personave që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore).
- Aktualisht rreth 7.3% e familjeve shqiptare trajtohen me ndihmë ekonomike. Por, në realitet nuk është ky numri i familjeve që kanë nevojë për mbështetje nga skema, pasi numri i kërkesave është shumë më i madh.
Në deklaratën e shpërndarë nga Avokati i Popullit thuhet se shpallja dhe njohja e këtij minimumi jetik nga ana e strukturave qeveritare përgjegjëse do të ndihmonte shtresat më të varfra, si dhe të gjitha kategoritë e personave vulnerabël për të arritur një standard dinjitoz jetese.
/l.k./