Dita Botërore e Autizmit, aktivitete në Tiranë dhe Shkodër
2 Prilli është Dita Botërore e Ndërgjegjësimit mbi Autizmin. Qellimi i kësaj ditë është kthimi i vëmendjes së shoqërisë ndaj nevojës për trajtim që kanë personat e prekur nga autizmi.
Në këtë ditë në të gjithë botën zhvillohen aktivitete ndërgjegjësuese dhe edukuese në mbështetje të personave të prekur nga çrregullimet e spektrit autik.
Tirana vrapon për autizmin
Tirana iu bashkua për të dytin vit rresht nismës “Run4autism” (Vrapo për Autizmin). Ndryshe nga viti i kaluar aktiviteti nuk kishte organizatorë, mbështetës dhe sponsor, por kjo nuk i pengoi qytetarët e Tiranës të mblidheshin në Liqenin Artificial në shërbim të rritjes së ndërjegjësimit mbi autizmin.
Marshim sensibilizues në Shkodër
Nisma Vullnetare Studentore e mbështetur nga Bashkia Shkodër organizoi dje marshimin sensibilizues mbi Autizmin me moton: “Autizmi Flet”.
Qytetarët dhe aktivistë të Shkodrës marshuan me pankarta sensibilizuese në duar, nga Sheshi i Bashkisë deri në Sheshin “Nënë Tereza”.
Në përfundim të marshimit aktivistët ofruan informacione ndërgjegjësuese për kalimtarët në lidhje me Autizmin.
Çfarë është autizmi?
Autizmi është një çregullim neurobiologjik që karakterizohet nga vështirësitë në komunikim, ndërveprim shoqëror, sjellje të përsëritura dhe rreze të kufizuar interesash. Simptomat e autizmit fillojnë të shfaqen para moshës tre vjeçare dhe shkalla e dëmtimit të këtyre tri fushave dallon nga individi në individ.
Simptomat e autizmit
Simptomat Autizimi shfaqet me tri simptoma të ndara. Këto tre simptoma përfshinë, vështirësi në socializim, probleme komunikimi dhe një numër të kufizuar interesash kombinuar me sjellje përsësitëse.
Një nga simptomat e para të autizmit është shmangia e kontaktit me sy, ku fëmija i largohet çdo lloji kontakti me sy, si me fëmijët e tjerë po ashtu edhe me prindërit.
Shpeshherë kjo shpjegohet në mënyrë të gabuar se “fëmija ka turp”, ku në vend që t’i përgjigjet kontaktit me sy, shikon anash, apo në shumicën e rasteve lart mbi kokën e personit kontaktues. Përgjithësisht, fëmijët me çrregullime të spektrit autik, shfaqen me nivel të lartë të inteligjencës në fusha të caktuara.
/l.k./