Çeta sjell Motrën Tone në industrinë “call center” me veprën “Buongiorno, vi parla l’Albania”
Çeta, një grup anonim të rinjsh që përdorin “street art” për aktivizëm, realizoi dje në Tiranë veprën e quajtur “Buongiorno, vi parla l’Albania” (mirëmëngjesi , ju flet Shqipëria).
Aktivistët e Çetës kanë sjellë imazhin e Motrës Tone, veprës së famshme të piktorit Kol Idromeno, të vendosur në kontekstin e një prej 25.000 mijë të rinjve shqiptarë që punojnë në industrinë call center.
Në reagimin e publikuar në faqen e Facebook bashkë me veprën ata krahasojnë risinë që solli Motra Tone në artin shqiptar me grupin e ri të “studentëve punëtorë”, që ka nisur të shfrytëzohet nga sektori privat i call center vitet e fundit.
“Bashkëmoshatarët e motres Tone sot përballen me të vërtetën e hidhur se dijet e fituara me mund dhe diploma universitare, do të jenë fare të panevojshme me klientët matanë detit teksa përpiqen t’u shesin në biseda të stërgjatura në italishten e Pippo Baudos apo Cristina D’Avenës, ushqim për kafshë të ndryshme, sapunë organikë, siguracione makinash, asistenca linjash ajrore, e shumëçka tjetër që ndoshta si hyn në punë as dreqit. Kapanonë të tërë centralistësh që gëlojnë si koshere bletësh në ndërtesa të reja e moderne në qëndër të qytetit, apo skuta ilgale periferish teksa disa të tjerë ofrojnë seksualitetin e tyrë në linja të nxehta telefonike “, thuhet më tej në reagimin e Çetës.
Foto: Çeta- art- collective
Më tej ata denoncojnë kushtet e vështira të punës në këtë industri, duke ngritur në fund një pyetje për të rinjtë shqiptarë:
“Kushtet specifike të punës që ndikojnë drejtpërdrejt në vështirësimin e dëgjimit dhe pamjes, orë ekstra me apo pa pagesë, vonesa për pagat, presioni për të realizuar normat, pamundësia për të ndërvepruar, pamundësia për t’u organizuar, konkurrenca e ashpër, pagat jo të larta dhe mbi të gjitha mungesa e perspektivës, ka prodhuar një tëhuajzim të skajshëm të një brezi të tërë studentësh e të sapo diplomuarish në përballjen e tyre të parë me tregun e punës. Tonet e call-centerave janë zhveshur nga shpresa për një punë e një të ardhme më të mirë, teksa i ka ngërthyer ankthi nga diskutimet e fundit në senatin italian për mbylljen e tyre. Dhe ajo çka mbetet është dilema e përditshme shekspiriane: të papunë apo të skllavëruar në punë?
Buongiorno signore, come vi posso aiutare?”
Aksioni i grupimit Çeta vjen në kuadër të projektit “Heroes we love” dhe është i mbështetur nga Tirana Art Lab.
/l.k./