Banorët protestë kundër HEC-eve në Vjosë dhe premtimit të shkelur të qeverisë
Më 17 mars të vitit 2016, kompania turke “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm Sanayi Ve Ticaret Limited Şirketi”, fitoi tenderin për Hidrocentralin e Poçemit, ku ishte e vetmja pjesëmarrëse.
Pavarësisht premtimit të kryeministrit Rama për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve mbi lumin Vjosa, qeveria miratoi dhënien me koncension të këtij hidrocentrali më 10 gusht 2015, duke i dhënë edhe një bono prej 8 pikë përqindje kompanisë si rrjedhoje e formës së “koncensionit të pakërkuar”, raporton “Reporter.al”.
Kjo histori vazhdoi me një sërë protestash nga ambjentalistë shqiptarë e të huaj dhe tubime të ndryshme nga banorë të zonave që preken nga hidrocentralet, duke ardhur deri në ditët e sotme kur kompania turke ka nisur e pashqetësuar punimet.
Kompania turke nis punimet për hidrocentralin e Poçemit/ Foto: EcoAlbania
Sot, banorët e zonës së Poçemit, konkretisht fshatit Kutë në Mallakastër, janë ngritur sërish në protestë për të kundërshtuar ndërtimin e digës. Rreth 40 prej tyre janë lidhur me zinxhirë e kanë bllokuar për disa minuta qarkullimin e automjeteve aksin Levan – Tepelenë.
Protesta e banorëve të Kutës kundër ndërtimit të hidrocentralit në Poçem/ Foto: EcoAlbania
Protestuesit që mbanin në duar pankarta me mbishkrimie “Jo digës në Poçem”, “ Mos na merrni jetën”, “Japim jetën por nuk e japim Kutën”, janë larguar nga rruga pas ndërhyrjes së forcave të policisë.
/l.k./