Banorët e Shkozës letër kryetarit Veliaj: “Na lejoni të punojmë me mbledhjen e mbetjeve”
Banorët e komunitetit Rom dhe Egjiptian në zonën e Shkozës, kanë reaguar sot mbi lëvizjet e bashkisë së Tiranës për pengimin e famiiljeve që merren me riciklin. Ata i janë drejtuar me një letër kryetarit të bashkisë Erion Veliaj ku shprehen të shqetësuar për “pengesën që po na bëhet për të mbledhur mbetje të riciklueshme”.
“Ne nuk po lejohemi më ta ushtrojmë këtë aktivitet si më parë, i cili përbën të vetmin burim të ardhurash për komunitetin që banon në zonën e Shkozës”, thuhet në qendrimin e përbashkët të banorëve të Shkozës. Ata i kanë kërkuar kryebashkiakut Veliaj të merren masa për ndryshimin e kësaj situate si dhe një takim për zgjidhjen e problemeve brenda muajit gusht.

Mbledhja e banorëve për deklaratën e përbashket, Shkozë. Foto: Romina Sefa
Banorët e komunitetit Rom dhe Egjiptian kanë kërkuar të mos iu ushtrohet presion duke konfiskuar mjetet e transportit apo edhe materialet e mbledhura pas një dite pune. “Derisa të gjejmë një zgjidhje afatgjate, ju lutemi të mos na pengoni të mbajmë familjet dhe të na lejoni të punojmë me mbledhjen e mbetjeve”, thuhet në deklaratë.
Duke shpresuar për bashkëpunim nga ana e bashkisë, banorët kanë thënë se alternativa e punësimit të tyre në landfillin e Sharrës nuk është më e mira, pasi distanca për të shkuar deri atje është 12 km dhe me pagesën e ofruar është e pamundur mbulimi i transportit dhe jetesës njëkohësisht.
Romina Sefa, njëra prej aktivisteve të komunitetit Rom dhe Egjiptian, tha për Historia Ime se zgjidhja më e mirë do të ishte që konfiskimi dhe gjobitja që i bëhet kolektorëve të ndërpritej deri në një moment që është gjetur një zgjidhje nga institucionet përgjegjëse.
“Zgjidhja duhet të vij nga banorët dhe nga institucionet jo vetëm nga institucionet. Por ne si aktivistë mendojmë se komunitetit duhet t’i ofrohen mundësi të tjera punësimi qoftë në pastrim – gjelbërim a në një sector tjetër. Nuk ka pse të jetë një zgjidhje që ka lidhje vetëm me mbetjet, në mënyrë që edhe ata të mësohen me një stil tjetër jetese nga kjo që kanë bërë për shumë vite”, u shpreh Sefa për Historia Ime.
“Meqënëse Bashkia ka shprehur interes të na ndihmojë me punësimin, ne dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se kemi dëshirë dhe vullnet të punojmë. Çdo ditë na shikoni sesa shumë punojmë më ndershmëri, për të mbuluar nevojat tona, por nuk mund të na e prisni bukën e gojës pa na ndihmuar të gjejmë njëalternativë tjetër. Mundësisht një punë që nuk është e lidhur domosdoshmërisht me plehrat”, thuhet në deklaratë.
/m.g/