Banorët e Mirditës protestojnë kundër taksës në Rrugën e Kombit
Qytetarët e Mirditës kanë bllokuar sot Rrugën e Kombit në shenjë proteste kundër koncesionit i cili parashikon vendosjen e një takse prej rreth 5 € për kalimin e automjeteve.
Protesta e zhvilluar tek zona e quajtur mbikalimi i Rrëshenit vjen pas asaj të banorëve të Kukësit disa ditë më parë ku u paralajmërua se ky do të jetë vetëm fillimi: “Nëse qeveria vendos të mbyllë veshët e zëri ynë nuk dëgjohet, protestat do të vazhdojnë, më të shpeshta, më masive, deri në bllokimin e tunelit të Kalimashit” ka thënë një nga protestuesit.
Marrëveshja koncensionare e lidhur nga Ministria e Transporteve ka hasur kundërshtim jo vetëm nga banorët e zonave përreth por edhe nga shoqëria civile dhe qytetarët. Një peticion online i krijuar nga Nisma Thurje ka arritur të marrë më shumë se 2000 nënshkrime në rreth 3 javë.
Proesta e banorëve të Mirditës/ Foto: Nisma Thurje
Përse protestojnë banorët?
Ministria e Transporteve në Shqipëri ka përzgjedhur më 22 korrik si fitues të koncesionit për mirëmbajtjen dhe rehabilitim e Rrugës së Kombit, një bashkim kompanish kryesuar nga shoqëria turke “Vendeka Bilgi”.
Bërja publike e tarifës prej 5 eurosh për autostradën Milot-Kukës- Morinë është pasuar nga kundërshtime të ashpra të banorëve dhe shoqatës së biznesit në Kukës.
Sipas marrëveshjes, automjetet që ofrojnë shërbime publike nuk do të jenë objekt i pagesës. Ndërsa për qytetarët banorë të zonës do ketë diferencime, të cilat do të specifikohen kur të lidhet kontrata.
Por një reagim i Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC), që ka reaguar në lidhje me koncesionin e Autostradës Milot-Morinë, ka shuar shpresat e kuksianëve se do të përjashtohen nga taksat për qarkullimin në autostradë.
Duke qenë se IFC-ja ka qenë pjesë e konsultimeve për dhënien me koncesion të kësaj autostrade, kjo kompani bëri të ditur se tarifa do të paguhet vetëm në një pikë, në tunelin e Thirrës dhe do të aplikohet një skemë zbritjeje për përdoruesit e shpeshtë të autostradës, ku kishte parasysh banorët vendas. IFC (International Finance Corporation) ka theksuar se tarifa e parashikuar reflekton nivelin e jetesës së popullsisë dhe është më e ulët se mesatarja e rajonit.
Pas publikimit të tarifës për rrugën Milot-Kukës-Morinë kanë reaguar shoqatat e biznesit në Kukës. Sokol Kolgjini, kryetar i Shoqatës Biznesi për Biznesin në emër të biznesmenëve dhe tregtarëve kuksianë ka dalë kundër aplikimit të kësaj takse. Sipas Kolgjinit, autostrada është ndërtuar me fonde publike dhe nuk ka argument për taksë shtesë ku për çdo mjet paguajmë taksën e qarkullimit, e cila i dedikohet mirëmbajtjes së rrugëve. Ndërkohë që Rajoni i Kukësit nuk ka një rrugë tjetër alternative që e lidh me pjesën tjetër të vendit
/l.k./