Aktivistët mjedisorë nisin proces gjyqësor kundër ndërtimin të hidrocentralit të Poçemit në Vjosë
Pas një sërë protestash, aktivistët dhe qytetarët kanë nisur ta luftojnë ligjërisht ndërtimin e hidrocentraleve në lumin Vjosa. Një grup organizatash për mbrojtjen e mjedisit EcoAlbania, Riverwatch dhe EuroNatur bashkë me 38 banorë të prekur, çelën sot procesin gjyqësor kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit.
“Jemi të vendosur ta mbrojmë këtë kërkesë në të gjitha hallkat e sistemit të drejtësisë. Bëhet fjalë për mbrojtjen e një prej zonave natyrore më me vlerë jo vetëm në Shqipëri por në gjithë Evropën”, thotë Olsi Nika, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” nga EcoAlbania.
Cilat janë arsyet e kësaj padie?
1.Vlerësimi në mjedis është i kopjuar dhe i papërshtatshëm
Aktivistët kanë analizuar Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis të hartuar për këtë projekt me ndihmën e profesorëve dhe specialistëve të huaj. Rezultat tregojnë se më shumë se 60% e kësaj VNM-je është plagjaturë e kopjuar nga projekte të tjera duke shtuar se mungon edhe vlerësimi i florës dhe i faunës.
Profesor Schiemer nga Vjena, i cili ka analizuar këtë raport VNM-je, së bashku me kolegë të tjerë nga Shqipëria, Gjermania dhe Austria konfirmon: “Nuk kam parë më parë një VNM kaq të dobët. Gjithçka është një farsë. VNM-ja duhet të përsëritet dhe të hartohet sipas standardeve ndërkombëtare.”
- Projektit i mungojnë konsultimet publike, banorët janë krejtësisht të painformuar
Aktivistët thonë se për këtë projekt është mbajtur vetëm një konsultim publik në qytetin e Fierit, ku asnjë nga pjesëmarrësit nuk ishte banor i zonave të prekura. Ndërsa banorët e fshatrave Kutë, Çorrush, Sevaster, Shkozë, Golimbas, Mazhar etj, të cilët preken nga projekti i HEC-it të Poçemit nuk janë informuar. Vetëm në fshatin e Kutës pjesa më e madhe e tokave bujqësore dhe ullishteve do të përmbyten nga rezervuari i HEC-it prej 2400 hektarësh dhe 90 persona do të detyrohen të shpërngulen.
Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë. Ajo rrjedh e paprekur përmes grykave të thella, zallishteve dhe ishujve për rreth 270 km nga malet e Pindit në detin Adriatik. Qeveria shqiptare i ka dhënë dritën jeshile kompanisë turke për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, i cili është planifikuar të ndërtohet në pjesën më të pasur ekologjikisht të lumit të Vjosës.
Fushata “Save the Blue Heart of Europe” synon të mbrojë lumenjtë me vlera më të mëdha natyrore në gadishullin e Ballkanit. Fushata koordinohet nga OJF-të ndërkombëtare Riverwatch dhe EuroNatur në bashkëpunim me organizatat partnere në vendet e Ballkanit
/l.k./