A vlen pasioni për gjak i gjahtarëve të Elbasanit, më shumë se kafshët e shpendët?
Këto foto janë marrë nga protesta e shoqatave të gjuetarëve në Elbasan, të cilët kanë protestuar kundër moratoriumit të gjuetisë. Gjuetarët kanë dalë me pankarta, që kërkojnë të respektohet “pasioni” i tyre për gjuetinë.
Moratoriumi, i cili hyri në fuqi vitin e kaluar ndalon për një periudhë 2 vjeçare gjuetinë e kafshëve dhe shpendëve. Duke qenë se ka rezultuar mjaft i sukseshëm deri tani, ekspertët e mjedisit kanë kërkuar shtyrjen e afatit. Një ndër shpendët e rrezikuara, siç është pelikani kaçurel, ka nisur të shumohet sërish pas vitesh në rënie të numrave, ndaj dhe një shtyrje në kohë e moratoriumit po shihet si opsion.
Në Shqipëri janë licensuar mbi 170 mijë gjuetarë, por gjithmonë ka qenë problem për mjedisin dhe kafshët apo shpendët, ushtrimi i gjuetisë nga qindra e mijëra të tjerë të palicensuar.
Një ndër pankartat shkruante “Në asnjë shtet europian nuk mbyllet gjuetia” por Shoqatat e gjuetarëve mesa duket kanë harruar që gjithashtu asnjë shtet europian nuk lejon gjuetinë e palicensuar dhe në dëm të kafshëve apo shpendëve të rrezikuara.