28 të vrarë nga sulmi terrorist në Ankara
Një shpërthim i fortë kamikaz në kryeqytetin turk, Ankara, ka sjellë deri tani 28 viktima dhe 61 të plagosur.
Shpërthimi ka ndodhur në një makinë të mbushur me eksploziv në momentin që disa autobusë ushtarakë ishin duke kaluar aty pranë. Vendi i shpërthimit është afër me parlamentin dhe selinë ushtarake turke.
Sulmi mendohet se ka patur në shënjestër trupat ushtarake, pasi përveç autobusit me personelin ushtarak, aty pranë ka patur edhe automjete të tjera ushtarake – të gjitha duke pritur në semafor. Deri tani thuhet se shumica e viktimave janë ushtarë, raporton BBC.
Dëshmitarë të shumtë kanë thënë se shpërthimi ishte aq i madh sa është dëgjuar pothuaj në të gjithë qytetin.
Ndonëse Zëvendëskryeministri Bekir Bozdag e quajti ngjarjen akt terrorist, deri tani asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Reuters raporton se disa burime sigurie fajësojnë për sulmin Shtetin Islamik (ISIS) dhe militantët e Partisë së ndaluar Kurde (PKK).
Ky është sulmi i dytë që i bëhet Turqisë brenda 2016-ës. Rreth një muaj më parë, në 12 janar, 10 turistë u vranë dhe 15 u plagosën në një shpërthim në Stamboll.
Sulme të mëparshme në Turqi:
- Janar 2016: 10 persona viqën dhe 15 u plagosën nga një shpërthim kamikaze në një nga lagjjet turistike të Stambollit
- Tetor 2015: Më shumë se 100 persona u vranë nga dy shpërthime kamikaze gjatë marshimit paqësor Kurd në Ankara
- Korrik 2015: Në qytetin me shumicë kurde, Suruc, në afërsi me kufirin sirian, u vranë mbi 30 persona për shkak të një shpërthimi kamikaz. /m.g
Burimi: BBC