10 tetori, Dita Botërore e Shëndetit Mendor
10 Tetori është Dita Botërore e Shëndetit Mendor. Kjo ditë është shpallur nga OKB dhe është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pastabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara.
Shëndeti mendor në epokën moderne, është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, pasi siç vlerësohet, sot në botë vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz.
Çdo vit kjo ditë i kushtohet aspekteve të ndryshme të shëndetit mendor, duke filluar me çështje të tilla si, depresioni e duke vijuar me rëndësinë që ka kualifikimi i personelit në përballimin e kërkesave të popullatës për shërbime të shëndetit mendor.
Prej shumë vitesh Shqipëria është pjesë e komunitetit ndërkombëtar, i cili në çdo 10 tetor, i kushton vëmendje përpjekjeve që bëjnë qeveritë, sektorët joqeveritare dhe komunitetet, për një shëndet më të mirë mendor të popujve të tyre. Në këtë kuadër, me asistencën e OBSH, Shqipëria ka disa vite qe ka filluar reformimin në filozofinë e ofrimit të shërbimeve të shëndetit mendor bazuar në parimet themelore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Një numër shërbimesh komunitare të shëndetit mendor janë ngritur e funksionojnë në disa rrethe të vendit, Tiranë, Elbasan, Vlorë, Shkodër, Korçë, Berat, Gramsh dhe Peshkopi, ndërkohë që janë përgatitur kushtet për ngritjen e tyre edhe në rrethe të tjera.
I parë nga një këndvështrim përgjatë kulturave, është e pamundur që shëndeti mendor të përkufizohet në mënyrë gjithëpërfshirëse. Çrregullimet mendore dhe të sjelljes prekin mbi 25% të të gjithë njerëzve gjatë jetëve të tyre. Ato janë universale, prekin njerëzit e të gjitha vendeve dhe shoqërive.
Burimi: ATSH