1 Qershori, Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve/ Aktivitetet
1 Qershori njihet si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, ku njerëzit sensibilizohen për të ndaluar dhunën dhe abuzimin ndaj fëmijëve. Dita Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve, njihet nga shumë shtete që prej vitit 1950.
Në Tiranë janë planifikuar aktivitete të shumta për fëmijët dhe prindërit gjatë gjithë ditës. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, në kuadër të nismës #UnëMbrojFëmijët, organizojnë aktivitete përgjatë gjithë ditës. Në orën 17:00 mbahet edhe “Festa e të drejtave” tek oborri i Kryeministrisë.
Fotografi: Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve
Edhe bashkia e Tiranës përuroi sot këndin e lojërave për fëmijë tek Parku i Liqenit.
1 Qershorin e kanë festuar edhe fëmijët jetimë dhe fëmijët e ngujuar nga gjakmarrja në Shkodër. Avokati i Popullit së bashku me organizatat për të drejtat e fëmijëve “Save the Children”, “Terres des hommes” dhe UNICEF, përgatitën dhurata për secilin nga fëmijët dhe aktivitete argëtuese për ta.
Për festën e fëmijëve kishte menduar edhe Policia e Shtetit, e cila gëzoi dhjetëra fëmijë në spitalin Pediatrik në QSUT. Policë të forcave Renea kanë përshëndetur fëmijët duke zbritur nga tarraca e godinës të veshur si personazhet vizatimorë “Batman” dhe “Spiderman”. /m.g/