Në kuadër të projektit Mendo Politikisht është analizuar qasja ndaj çështjeve të komunitetit LGBTI në programet e disa prej partive që do të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.
Partitë e përzgjedhura janë: Partia Demokratike, Partia Socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet, Partia Republikane, Lista e Barabartë, Sfida për Shqipërinë, Partia Bashkimi Demokristian Shqiptar.
Çfarë është nisma “Mendo Politikisht”?
“Mendo Politikisht” synon të inkurajojë komunitetin LGBTI të marrë pjesë në zgjedhjet e vitit 2017, i pajisur me informacion të detajuar mbi qëndrimet që partitë politike kanë mbi çështjet e këtij komuniteti. Sipas studimeve botërore 2 – 12% e popullsisë së një vendi i përket komunitetit LGBTI. Të dhënat zyrtare të KQZ tregojnë se në zgjedhjet e fundit parlamentare në Shqipëri numri i votuesve të regjistruar ishte 3.271.885 nga të cilët rreth 110.000 janë pjesëtarë të komunitetit LGBTI.
Çështjet LGBTI në programet e partive PS, LSI dhe LIBRA
Fillimisht duhet thënë se në këtë fushatë elektorale, pjesa më e madhe e partive nuk kanë publikuar programe të mirëfillta. Nga monitorimi i realizuar në kuadër të projektit “Mendo Politikisht”, rezulton se në faqet zyrtare të partive gjenden të dhëna si statuti, qëndrime dhe plane në lidhje me çështje të ndryshme, por jo programe të plota politike.
Lëvizja Socialiste për Integrim
Në faqen zyrtare të LSI janë publikuar një program për arsimin dhe një plan për zhvillimin ekonomik.
Në sesionin “Pasqyrë e Aktualitetit Shqiptar” të programit të LSI për arsimin, pasqyrohen kritika rreth gjendjes aktuale të institucioneve dhe politikave arsimore. Programi përmend përciptazi çështje të të drejtave të njeriut kur premton shanse të barabarta në arsim dhe mbështetje për komunitetin rom. Por në këtë program mungon vizioni për t’i bërë shkollat një ambient të sigurt dhe të mbrojtur nga fenomeni i bullizmit, që do të ishte një çështje me rëndësi për të rinjtë LGBTI.
Nëse do të marrim në analizë qëndrimin e LSI ndaj çështjeve të komunitetit LGBTI në këtë 4-vjeçar, vlen të përmendet se ish-Ministri i Drejtësisë i propozuar nga LSI Z. Nasip Naço, ka bllokuar nismën e Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për të amenduar nenin 163 që ripërkufizon konceptin e bashkëjetesës në Kodin e Familjes. Edhe pse në jurisprudencën ndërkombëtare dhe në Kushtetutën e Shqipërisë e drejta për jetë familjare (jo përkufizimi për martesën) është një e drejtë themelore e njeriut, qëndrimi i Ministrit Naço ishte se kjo e drejtë e njeriut “nuk është prioritet”.
Aleanca LGBT dhe Pro LGBT, në kuadër të projektit “Mendo Politikisht”, i kanë dërguar Lëvizjes Socialiste për Integrim një kërkesë për informacion rreth qëndrimeve dhe parashikimeve për çështje të ndjeshme për komunitetin LGBTI si: e drejta për bashkëjetesë, e drejta për akses të barabartë në shëndetësi për komunitetin transgjinor, angazhimi për implementimin e Planit Kombëtar për personat LGBTI 2016-2020, masat parandaluese për dhunën në familje, politikat kundër diskriminimit në sistemin arsimor dhe ambientet e punës etj.
Kjo kërkesë ende nuk ka marrë një përgjigje nga ana e kësaj force politike.
Partia Socialiste

Në faqen zyrtare të Partisë Socialiste programi i fundit i publikuar është i ndarë në 4 kapituj: Rimëkëmbje e Ekonomisë, Ripërtëritje Shoqërisë, Rivendosje e Demokracisë dhe Ribashkim me Evropën. Një tjetër rubrikë e quajtur “Reformat” paraqet në mënyrë të përmbledhur përmes broshurave, informacion mbi reformat e ndërmarra në këtë 4-vjeçar, megjithatë duhet thënë se të dhënat në faqen “Programi” në shumë raste janë të ngjashme me ato vitit 2013.
Në sesionin “Ripërtëritja Shoqërore” të këtij programi theksohet ofrimi i shërbimeve publike cilësore pavarësisht orientimi seksual.
Në rubrikën “Reformat” të publikuar në faqen e saj zyrtare ka listuar angazhimin dhe zotimet për rininë. Mes tyre përmendet fuqizimi i Zyrës së Komisionerit kundër Diskriminimit, nxitje për edukimin dhe punësimin e të rinjve romë, por nuk ka asnjë angazhim specifik drejtuar të rinjve LGBTI.
Në një takim me përfaqësues të partisë socialiste, aktivistët për të drejtat e komunitetit LGBT u informuan se në programin e ri të Partisë Socialiste janë integruar terminologji dhe politika të reja kundër diskriminimit si koncepti i “punësimit të ndershëm” i cili nënkupton mos diskriminimin në paga dhe trajtim të barabartë në vendin e punës. Si edhe plani për të krijuar 61 qendra për këshillimin e karrierës dhe strehëza për fëmijët e abuzuar në secilën nga njësitë vendore, nga të cilat mund të përfitojnë edhe të rinjtë LGBT.
Lista e Barabartë (LIBRA)

Në Manifestin e publikuar në faqen zyrtare të kësaj partie thuhet: “LIBRA nuk paragjykon askënd për shkak të etnisë, gjinisë, pasurisë, moshës, përkatësisë fetare, orientimit seksual apo bindjeve të mëparshme politike dhe do të inkurajojë dhe nxisë mendimin ndryshe në të gjithë veprimtarinë e saj politike”.
Në kuadër të projektit “Mendo Politikisht”, aktivistët për të drejtat e komunitetit LGBTI zhvilluan një takim me përfaqësuesen e LIBRA, Mimoza Hafizi. Ajo u shpreh se LIBRA e ka vendosur barazinë mes njerëzve në themelin e organizatës.
Hafizi i konsideron të drejtat e komunitetit LGBTI si një çështje themelore, qëndrimet rreth të cilës duhet të mbahen me votim anëtarësie. Ajo u shpreh e gatshme për të nisur një debat me 12.000 anëtarët e LIBRA, ku të përqasen argumentet dhe të votohet mbi qëndrimet për çështjet me rëndësi për komunitetin LGBT.