VIDEO/ Televizionet në Shkodër denoncojnë dhunën e përsëritur nga shefi i Komisariatit
Tre televizione lokale të qytetit të Shkodrës denoncojnë dhunën e përsëritur të shefit të Komisariatit të Policisë, Gazmend Demrozi ndaj operatorëve dhe gazetarëve.
Televizionet “Star Plus”, “Channel 1” dhe “Rozafa” janë ndaluar të filmojnë një aksion të policisë duke u shtyrë me forcë dhe ofenduar nga uniformat blu. Policia nuk ka lejuar mediat të qendrojnë pranë ambjenteve ku po zhvillohej aksioni, edhe pse nuk kishte vendosur asnjë shirit bllokues për të ndaluar hyrjen e personave të paautorizuar.
Ky është incidenti i tretë i shefit të Komisariatit të Shkodrës me median, në vetëm 2 muaj kohë që nga fillimi i ushtrimit të detyrës. “Rozafa TV” raporton se Demrozi që në ditën e parë të prezantimit në detyrën e tij ka shfaqur një sjellje armiqësore ndaj mediave, duke i cilësuar ato “shpifëse që flasin pak si shumë”. Në rastin e dytë kur shefi i Komisariatit Demrozi është përplasur me median duke ofenduar një nga operatorët, nuk u lejua parkimi i makinave të televizioneve të cilat ishin thirrur në konferencë për shtyp. Kjo solli më pas bojkotimin e këtij evenimenti nga ana e mediave.
Në kronikën e Televizionit “Rozafa” duket qartë një moment ku Gazmend Demrozi ofendon dhe shtyn me forcë një operator.
Video e plotë nga televizioni Rozafa:
https://www.youtube.com/watch?v=xEWidCSnBSo
/ L.K.