Spitali Amerikan kërkon censurë paraprake për investigimin e Shëndet +, gjykata e rrëzon
Në 26 prill 2016 gazeta Shëndet + publikoi një shkrim ku denoncoheshin kushtet e higjenës dhe ushqimit që i ofrohen pacientëve gjatë shërbimit të dializës në Spitalin Amerikan.
Menjëherë pas publikimit të këtij shkrimi, spitali privat fitues i tenderit të shumëdebatuar për shërbimin e dializës, ka dërguar këtë përgjigje drejt gazetës Shëndet +, ku ndër të tjera mohohen akuzat e pacientëve dhe bëhet e ditur se mbi kwtw çështje do të ndiqen procedura gjyqësore për dëmshpërblim të dëmit në imazh.
Sot më 12 tetor, në seancën përgatitore të procesit gjyqësor civil, Spitali Amerikan u paraqit me një kërkesë të pazakonte për censurë paraprake, raporton BIRN. Avokatët e Spitalit Amerikan kërkuan që gjykata të urdhëronte fshirjen e shkrimit nga gazeta deri në përfundim të gjykimit.
Duke e bazuar kërkesën në nenin 202 të Kodit të Procedurës Civile, Spitali Amerikan kërkoi: “Marrjen e masës së sigurimit të padisë, duke detyruar shoqërinë “Sh Plus” të heqë artikullin e publikuar me titull: SKANDAL: Miliona Euro për dializën, pacientët me bukë e patate dhe çarçafët me vete” nga faqja në internet deri në përfundim të gjykimit”.
Kjo kërkesë u argumentua me pretendimin se prania e këtij shkrimi në internet i shkakton dëm të vazhdueshëm kompanisë e cila mund të humbasë klientë potencialë, nëse këta të fundit kërkojnë në internet dhe u del përpara ky shkrim.
Ndërkohë avokati i palës mbrojtëse, Erion Kanxherri argumentoi se fshirja e shkrimit deri në përfundim të gjykimit përbën një “zgjidhje në themel të çështjes” si dhe përbën keqinterpretim të nenit 202.
“Fshirja e shkrimit deri në përfundim të gjykimit nuk e bën të pamundur zbatimin e vendimit, në rast se vendimi i jep të drejtë palës paditëse, e cila kërkon në aktpadi përgënjeshtrim dhe dëmshpërblim por jo fshirje,” tha ai.
Gjykatësja Enkela Bajo Vlora e konsideroi këtë pretendim si të pabazë dhe pa lidhje me çështjen në gjykim duke argumentuar se fshirja e shkrimit nuk ndihmon ekzekutimin final të vendimit, cilido qoftë vendimi.
Spitali Amerikan e ka ngritur padinë ndaj gazetës Shëndet + mbi dy pretendime.
I pari është se kritikat për cilësinë e ushqimit dhe higjenës nuk qëndrojnë për shkak se në kontratën e nënshkruar mes spitalit dhe Drejtorisë së Shërbimit Spitalor Universitar dhe Kontrollit Spitalor nuk përfshihen shërbimet e ushqimit dhe lavanderisë.
Pretendimi i dytë janë disa dëshmi të pacientëve të intervistuar nga gazeta, ku mohohet fakti që ata kanë folur për gazetaren. Ndërkohë përfaqësues të Shëndet + thanë në gjykatë se disponojnë regjistrimet audio të intervistave me pacientët.