Sokol Balla sot në Top Channel për të sqaruar videon, vazhdojnë reagimet e gazetarëve
Ndërkohë që vazhdon diskutimi dhe opinionet mbi video-skandalin e gazetarit Sokol Balla, duket se ai më në fund do të thyejë heshtjen. Drejtuesi i “Top Story” do të dalë sot pulbikisht për të sqaruar videon gjatë edicionit të lajmeve të orës 19:30 në Top Channel.
Top Channel nuk e largoi Sokol Ballën, por ai u pezullua si drejtues i emisionit “Top Story”.
Edhe pasi u bë publik “dënimi” që Balla mori nga ana e Top Channel, opinionet e personave të rëndësishëm publik dhe të fushës së medias vazhdojnë.
Aleksandër Frangaj ka replikuar sot me botuesin e “Shqiptarja.com” Karlo Bolino.
Bolino u shpreh dje se konkurentët, duke filluar nga Tv Klan po fërkojnë duart dhe janë të gatshëm për të pritur krahë hapur gazetarin mëkatar.
Drejtori i përgjithshëm i Tv Klan, Aleksandër Frangaj u përgjij: “Dua t’i them Bolinos se në TV Klan nuk po fërkojnë as duart dhe as ndonjë gjë tjetër në raport me këtë ngjarje. Sa i takon Sokol Ballës, TV Klan ka mbyllur njëherë e përgjithmonë krahët dhe çdo mundësi bashkëpunimi me të, që nga koha kur ai u largua prej këtij televizioni shumë vite më parë” .
Ndërsa Fatos Lubonja në emisionin e tij të rradhës i ka quajtur provincialë ata që merren me këtë çështje. Sipas Lubonjës po harxhojmë orë të tëra duke u marrë me mastubimin e një gazetari dhe askush nuk merret me ngjarjet e mëdha botërore, si tragjedia që ndodhi në detin Mesdhe.
Një tjetër deklaratë e fortë u publikua sot në shtypin e përditshëm. Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame thotë se ka ardhur koha që të ndërmerren iniciativa ligjore për të përcaktuar çfarë është publike, e çfarë është private dhe nuk duhet cënuar.
“ Që rrushi i Kolit, Kolit vetë i vlen shumë është normale; që ai u vlen edhe gjitha syperënduarave që ua ka qejfi me të, edhe kjo është normale; por meqë kjo punë u bë “public domain”, që të na vlejë edhe ne të tjerëve sadopak, do ngritur zëri për të bërë ligje se si i bëhet të ndalohet publikimi i të tilla gjërave kaq ngushtësisht private”- shkruan Artan Lame në gazetën Shqip.
Sipas Lames kjo ngjarje po përsëritet shpesh: “Është përsëritur kaq e kaq herë kjo skemë, që nga rrushi i Ramës e zogu i Inisit, e deri tek ky rasti i fundit i Kolit. Këtu nuk duhen harruar edhe shumë raste të tjera, kur filmime private “rrjedhin” nga zyrat e Prokurorisë, kur foto absurde përfundojnë nëpër faqet e gazetave, e plot e plot të tjera.”