Shqipëria, e fundit në Europë për pavarësinë e sistemit gjyqësor
Një vëzhgim i Rrjetit Europian të Këshillave Gjyqësorë, ENCJ, e rendit Shqipërinë të fundit në Europë për pavarësinë e sistemit gjyqësor. Raporti i publikuar nga ENCJ ka matur perceptimin që gjyqtarët e 22 vendeve të Europës kanë për presionet mbi sistemin gjyqësor apo mbi vendimet që ata vetë kanë dhënë.
Në këtë raport, Shqipëria ka shënuar 6.2 pikë nga 10 të mundshmet, që tregojnë nivelin më të ulët të pavarësisë së gjyqësorit në Europë. Sipas vëzhgimit, vetëm 3 për qind e gjyqtarëve shqiptarë mendojnë se sistemi gjyqësor është “krejtësisht i pavarur”.
Serbia ka marrë gjithashtu të njëjtat pikë me Shqipërinë, por numri i gjyqtarëve që mendojnë se sistemi është i pavarur në vendin fqinj është më i lartë. Mali i Zi rezulton vendi që performon më mirë në Ballkan për pavarësinë e sistemit gjyqësor.
Ndryshe nga Shqipëria dhe Serbia, gjyqtarët malazezë i kanë dhënë 8.1 pikë pavarësisë së gjyqësorit në vendin e tyre.
Vëzhgimi i ENCJ thekson se përveç Shqipërisë dhe Serbisë, vendet që performojnë më keq në Europë janë Bullgaria, Letonia, Spanja dhe Sllovakia. Vendi me sistemin gjyqësor më të pavarur në Europë renditet Danimarka, e ndjekur nga Irlanda, Hollanda dhe Norvegjia.
Për llogari të këtij vëzhgimi, gjyqtarët shqiptarë janë pyetur për presionet që vijnë nga jashtë dhe brenda sistemit në dhënien e vendimeve gjyqësore. Gjyqtarët shqiptarë mendojnë se presionet nga jashtë sistemit janë shumë më të mëdha se ato që vijnë nga administrata e gjykatës apo shkallët më të larta të sistemit.
Të dhënat e vëzhgimit sugjerojnë se presionet nga pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ janë një problem i madh për pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri. Gjyqtarët shqiptarë mendojnë gjithashtu se media ka një ndikim të konsiderueshëm në vendimet që ata japin.
Gjyqtarët shqiptarë janë më të ashpër në analizën e sistemit gjyqësor në përgjithësi dhe më tolerantë për vendimet e që ata vetë kanë dhënë. Të pyetur nëse ata kanë qenë të ndikuar në vendimet e tyre, gjyqtarët shqiptarë kanë dhënë një mesatare pikësh prej 7.7.
Sistemi i drejtësisë në Shqipëri vuan prej dekadash nga mungesa e pavarësisë dhe niveli i lartë i korruptimit. Reformimi i tij konsiderohet një prej kushteve më të rëndësishme, që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë për të avancuar në rrugën e integrimit.
Për të arritur këtë objektiv, Parlamenti shqiptar ka ngritur në nëntor 2014 një komision për reformën në sistemin e drejtësisë, me pjesmarrjen e një numri të madh ekspertësh.
Në raportin e tyre të parë, ky grup ekspertësh diagnostikoi probleme të mëdha me korrupsionin dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe sugjeroi ndryshime drastike për reformimin e tij.
/ Reporter.al