Serbi/ Arrestohen shqiptarët që shkruan inicialet e UÇK-së në borë

Serbia ka marrë një valë kritikash duke dënuar me 55 ditë heqje lirie tre shqiptarë të cilët shkruan inicialet e UÇK në makinat e mbuluara me borë. Aktivistët për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar si të tepërt dënimin e dhënë ndaj tre shqiptarëve vetëm për arsyen se shkruan inicialet e UÇK në dhjetëra makina të mbuluara nga bora.
Tre shqiptarët, një nga Kosova dhe dy prej Beogradit kanë shkruar inicialet gjatë netëve midis 6 dhe 7 janarit. Gjykatësi që dha dënimin, Milan Marinovic u shpreh të martën se djemtë u dënuan me nga 30 ditë heqje lirie për sjelljen e pahijshme si dhe për mungesën e dokumenteve identifikuese me vete.
Por sipas Milena Vasic nga organizata YUCOM, të shkruarit të inicialeve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk përbën ndonjë shkelje penale apo keqbërje. Ajo u shpreh më tej se çështja në fjalë tregon standartet e dyfishta që kanë autoritetet serbe kur lënë pa investiguar vizatimin e simboleve naziste, edhe pse nuk lejohen nën ligjin serb.
Ministri i Jashtëm kosovar, Behgjet Pacolli e cilësoi verdiktin gjyqësor si skandaloz dhe nxiti institucionet ndërkombëtare dhe mekanizmat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut që ta dënojnë këtë vendim. “Në një shoqëri demokratike askush nuk duhet dënuar vetëm se mbart qëndrime të ndryshme nga shumica…Është e pabesueshme se si regjimi jo demokratik në Serbi nxit frikën dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve etnik, qoftë këta nga Shqipëria apo Kosova” u shpreh Pacolli në faqen e tij në Facebook.
UÇK luftoi kundër forcave serbe gjatë luftës 1998-99 në luftën për pavarësi nga regjimi i Beogradit, por u cilësua si organizatë terroriste nga autoritetet serbe./k.m/
Burimi: BIRN