Raporti: Edhe pas ligjit të ri për të drejtën e informimit, institucionet mbeten jo transparente
Qendra Res Publica ka publikuar një raport mbi vlerësimin e ligjit të ri për të drejtën e informimit dhe zbatimin e tij në praktikë nga autoritetet.
Ky projekt i mbështetur nga Civil Right Defenders, ka monitoruar përgjatë këtij viti rreth 100 autoritete publike që nga kryeministria, entet dhe agjencitë shtetërore dhe ministritë e deri tek bashkitë e drejtoritë e ndryshme.
Sipas këtij raporti, në autoritetet publike, programet e transparencës mungojnë gjerësisht ose nuk përmbushin standartet dhe për një pjesë të autoriteteve nuk është caktuar ende koordinatori për të drejtën e informimit.
“Duke krahasuar ligjin e vitit 1999 dhe atë të vitit 2014 ne arritëm në përfundimi se ligji i ri është më i efektshëm, ka përshpejtuar përgjigjet ndaj kërkesave fillestare dhe numrin e tyre, Megjithatë nuk ka ndryshuar shpejtësia e përgjigjeve ndaj ankimit dhe as përqindja e përgjigjeve të paplota,” tha në konferencë Av. Dorian Matlija, drejtues i Qendrës “ResPublica”.
Sipas raportit për vitin 2015, 52 për qind e 202 kërkesa kanë marrë një përgjigje me kërkesën fillestare, krahasuar me vetëm 29 për qind të përgjigjeve të marra nga një studim i vitit 2013 me po të njëjtën numër kërkesash.
Nga këto përgjigje të dhëna në vitin 2015, 88 për qind e tyre janë të plota, ndërsa në vitin 2013, 87 për qind të tyre janë të plota.
“Shumë institucione publike qendrore dhe vendore hasin vështirësi në zbatimin e të drejtës së informimit edhe prej faktit që administrata publike nuk është mësuar ende të jetë transparente dhe e hapur,” tha në prezantimin e raportit Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.
“Ligji merr kuptim kur të gjithë ne kërkojmë që ai të zbatohet,” tha Vasilika Laçi drejtuese e programit të Civil Right Defenders për Shqipërinë.
/l.k./