Punëtorët shqiptarë të “KURUM”: “Na diskriminojnë, kushtet e punës si në mesjetë”
E Kompania turke “Kurum”, e cila prej 15 vitesh punon dhe prodhon çeliqe në ish-uzinat e Kombinatit Metalurgjik Elbasan, veç problemeve të shumta që ka krijuar me githçka të gjallë atje, ka krijuar edhe hendekun e diskriminimit mes punëtorëve e specialistëve shqiptarë dhe atyre që ka marrë dhe vazhdon të marrë nga Turqia.
Fjala është për diskriminimin që kjo kompani ka bërë dhe vazhdon të bëjë ndaj punëtorëve shqiptarë, në pagat mujore dhe shpërblimet e vitit. Një prej punëtorëve që prej vitesh punojnë tek “Kurum” shprehet se: “jo vetëm që marrim më pak se çdo punëtor turk, por edhe shpërblimet janë më të ulëta dhe kur guxojmë apo kërkojmë llogari, na tregohet dera, na tregohet largimi duke na thënë se do të marrim edhe të tjerë turq”.
Në bazë të Kodit të Punës, diskuriminimi në pagesë për arsye rrace, etnie, feje, përbën shkelje ligjore dhe dënohet me ligj.
Në punësimin e punëtorëve shqiptarë, prioritet u japin atyre të besimit musliman, ndërkohë që vendasve iu japin punët më të vështira. Kushtet e punës në uzinën e prodhimit të çeliqeve në “Kurum” janë skandaloze, sikur të ishim në Mesjetë.
Bujari, banor i lagjes “28 Nëtori” në Elbasan rrëfen: “kam 4 vjet që punoj tek furra e shkrirjes dhe nja 10 herë desh më ka ikur jeta, jemi në dorën e zotit. Kushtet janë shumë të këqija, paga e ulët, shpërblimet të ulëta dhe qesharake, nuk na jepet e drejta që kemi për ditët e pushimit, orët shtesë. Specialistët turq sillen sikur të ishin zotër të këtij vendi, punojmë si skllevër, na është shkurtuar 20 vjet jetë”.