Pse prindërit vendosin të martojnë vajzat në moshë të mitur dhe si ka ndikuar Covid këtë periudhë tek ato ?

Një raport i ri i Unicef lëshuar të hënën tregoj se miliona vajza të mitura detyrohen të martohen në të gjithë botën për shkak të pandemisë së koronavirusit.
“Familja ime më tha se nuk duhej t’i thoja jo një oferte të tillë, pasi djali që donte të martohej me mua ishte nga një familje e pasur”, tha Abeba 14-vjeçare për BBC.
Vetëm disa muaj më parë, ajo ishte nën një presion të madh nga nëna dhe vëllezërit e motrat e saj për të pranuar një kërkesë, për t’u martuar dhe për të ndihmuar në lehtësimin e shpenzimeve financiare të familjes gjatë pandemisë Covid-19.
Abeba dëshiron të bëhet një mjeke, por në qytetin e saj të lindjes në South Gondar, në Etiopi, arsimi i saj i ardhshëm është i pasigurt.
Rabi, 16 vjeç, vazhdon ende shkollën e mesme në Gusau, Nigeri, por katër nga miqtë e saj të ngushtë janë martuar gjatë pandemisë dhe nëna e saj beson se ajo duhet të ndjekë shembullin e tyre.
“Dy fqinjët tanë do të martohen këtë javë, unë kurrë nuk e dija se radha ime do të vinte kaq shpejt,” tha Rabi.
Dhe këto martesa të të miturve nuk janë aspak të pazakonta. Gjatë dekadës së ardhshme, 10 milion vajza të tjera janë në rrezik për t’u martuar që në moshë të mitur si rezultat i Covid, tregon një raport i ri i Unicef.
Sipas vlerësimeve të Unicef, edhe para se të fillonte pandemia ishte parashikuar që 100 milion fëmijë do të ishin detyruar të martoheshin në 10 vitet e ardhshme. Por tani kjo shifër është edhe më e lartë, me një rritje të parashikuar prej 10%. Mbylljet e shkollave, rënia ekonomike dhe ndërprerja e shërbimeve mbështetëse për familjet dhe fëmijët kanë bërë që vajzat të martohen më herët, thotë raporti.
Abeba tha se ajo arriti të mos martohej që në moshë të vogël sepse babai i saj nuk e lejoj. “Nëna dhe vëllezërit e mi, ata vazhdonin të më shtynin për t’u martuar. Ata më në fund u penduan kur u këshilluan dhe kritikuan nga zyrtarët duke u bindur kështu që të ndryshonin mendje.”
Por për Rabin, kërcënimi është ende i pranishëm. Ajo jeton në një zonë bujqësore në Damba, një vendbanim Hausa-Fulani në Nigerinë veriore, ku një vajzë e re martohet në moshë shumë të vogël.
Që nga viti 2011, përqindja e vajzave të martuara para moshës madhore ligjore ka rënë me 15% në përgjithësi, por tani ky përparim është nën kërcënim si rezultat i pandemisë, raporton Unicef.
“Ne po bënim përparim global në uljen e martesave të fëmijëve. Ende nuk mjafton për të arritur qëllimin tonë për ta eleminuar atë, por po shkonim në drejtimin e duhur,” tha zonja Maksud.
“Por Covid na ka ndikuar akoma më shumë. Jetët e vajzave adoleshente në mbarë botën janë përkeqësuar”.
A mund të parandalohen martesat e fëmijëve?
Ekspertët besojnë se martesat e fëmijëve mund të parandalohen me ndërhyrje sociale në kohë.
“Dhe shembulli perfekt është India. Gjatë 30 viteve të fundit, India ka pasur programe të mëdha kombëtare të transferimit të parave,” tha zonja Maksud. Si rezultat, familjet indiane kanë marrë kompensim financiar për mos martimin e vajzave te tyre të mitura.
Gjithashtu, nëse martesa nuk mund të parandalohet, por në vend të kësaj vonohet, efektet janë përsëri të dobishme për një komunitet.
“Kjo është me të vërtetë e rëndësishme, sepse ne i lejojmë këto vajza të përfundojnë shkollën, të kenë mundësi më shumë në jetët e tyre, të ndërtojnë aftësi dhe si rezultat kemi më shumë të ngjarë të ndalojmë rrethin e varfërisë,” tha zonja Maksud.
Në Etiopi, Abeba shpreson që miqtë e saj të qëndrojnë në shkollë me të dhe të shmangin martesat para se të diplomohen.
Mekdes, 14 vjeç, ëndërron të bëhet inxhiniere.
“Ndërsa ishim duke qëndruar në shtëpi (gjatë karantinës), dëgjova prindërit e mi të flisnin për martesën time me një djalë që as nuk e njihja. Unë u thashë që nuk doja të martohesha dhe doja të studioja, por ata nuk më dëgjuan. Unë prita derisa shkolla jonë të rihapej dhe i thashë drejtorit të shkollës. Ai informoi autoritetet lokale dhe ata i këshilluan prindërit e mi kundër kësaj. Prindërit e mi tani janë zotuar të mos me martojnë derisa të mbush 18 vjeçe. Shërbimi i këshillimit po ndihmon shumë në komunitetin tonë. Tani ka edhe një sistem që policia të ndjekë penalisht prindërit nëse ata thonë jo dhe këmbëngulin të na martojnë në moshë të vogël,” tha ajo per BBC
Burimi: BBC