Pas dekretimit si Ministër i Jashtëm, Rama i delegon detyrën Cakajt
Vetëm një ditë pas betimit të tij në postin e ministrit të Jashtëm nga presidenti Meta, kryeministria Rama ka vendosur që t’ia delegojë këtë detyrë Gent Cakajt.
Zakonisht propozime të tilla shoqërohen me fjalime të gjata nga ana e kryeministrit shqiptar, por këtë herë Rama ka vendsour të flasë shkurt dhe prerazi për këtë vendim, duke thënë paraprakisht se ky do të ishte fjalimi më i shkurtër që ka thënë deri më tani:
“Fjala më e shkurtër e jetës time. Unë nënshkruari Edi Rama në funksionon e kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, i delegoj zotit të Gent Cakaj, zv/ministër për Punët e Jashtme, detyrën e drejtimit të ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme dhe të përfaqësimit të ministrit brenda dhe jashtë vendit” u shpreh kryeministri shqiptar.
Rama u betua si ministër një ditë pasi Kuvendi miratoi dekretin e presidentit Meta për shkarkimin e Ditmir Bushatit në krye të kësaj ministrie dhe emërimin e tij edhe në postin e ministrit. Kandidatura e Cakajt ka shkaktuar kontroversitet duke pasur përplasje midis instancave shtetërore, pas refuzimit nga ana e Presidentit Meta për dekretimin e kësaj kandidature në postin e Ministrisë së Jashtme. Arsyetimi i dhënë nga presidenti për refuzimin nga ana e tij ka qenë pretendimi se kandidati nuk plotësonte kriteret dhe nuk ishte pajisur me certifikatë sigurie.
Edhe pse ceremonia e djeshme në Presidencë ka zgjatur vetëm 6 minuta, Rama është zotuar të thotë se mazhoranca do të padisë presidentin Meta për shkelje të Kushtetutës sapo ky organ të formohet.
Nuk ka vonuar dhe komenti nga ana e Kreut të Shtetit pas delegimit të detyrës nga Kryeministri drejt Cakajt, i cili u shpreh si më poshtë:
“Presidenti nuk ndërhyn dhe nuk komenton për aktet e organizimit të brendshëm të ekzekutivit apo të ministrive. Unë si President i Republikës respektoj Kushtetutën dhe i kam shumë të qarta kompetencat e mia se cilit institucion mund t’i delegoj autoritetin kushtetues për të lidhur marrëveshjet ndërkombëtare në emër të Republikës së Shqipërisë”, deklaroi Presidenti Meta./k.m/
Burimi: News 24