Organizata nga shoqëria civile apel Bashkisë së Tiranës për mosmiratim të masave administrative

Së fundmi Bashkia e Tiranës ka ardhur me projekt-vendimin kontrovers “Për Kontrollin e Territorit dhe përcaktimin e disa kundravajtjeve administrative dhe sanksionin që vendoset për to në Bashkinë e Tiranës.” Në disa prej neneve të projektligjit, në pamje të parë me qëllim përmirësimin e jetesës urbane në qytet, është konstatuar nga organizata të shoqërisë civile se amendamentet e propozuara nga Këshilli Bashkiak shkelin standartet ndërkombëtare dhe të drejtat e njeriut.
Ky projektligj sjell listimin e një sërë veprimesh që konsiderohen si shkelje administrative të ndara në 7 grupime me kundravajtje ligjore. Disa prej këtyre veprimeve të grupuara në këto kategori janë: zënia e hapësirës publike nga ambulantët; braktisja e automjeteve në rrugë; djegia e mbeturinave; dalja zhveshur, të bërtiturit, dehja në mjedise të hapura etj.
Në mbledhjen e ardhshme Këshilli Bashkiak pritet të miratojë vendimin për Kontrollin e Territorit dhe përcaktimin e kundravajtjeve administrative së bashku me sanksionet që vendosen për secilën kundravajtje. Sanksionet e parashikuara konsistojnë në paralajmërime dhe gjoba që variojnë nga 1.000 lekë deri në 20 mijë lekë.
Nisur nga rrethanat, një sërë organizatash nga shoqëria civile kanë ardhur me një deklaratë të përbashkët për median ku i drejtohen Këshillit Bashkiak të Tiranës për mosmiratimin e disa prej pikave të projektligjit në përcaktimin e kundravajtjeve administrative, ndër të cilat sjell kriminalizimin e shitësve ambulantë në rrugë e trotuare.
Kjo deklaratë mbështetet nga organizatat: Qendra T’Reja, Lëvizja Rinore Egjiptiane Rome, Civil
Rights Defenders, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave
me Aftësi të Kufizuara, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare, Qendra për Arsim Cilësor,
Shërbimi Ligjor Falas Tirane – TLAS, Res Publica, Rromano Kham, Rrjeti i Fuqizimit të Gruas
në Shqipëri-AWEN.