Ministria e Arsimit pezullon mësuesen pas videos ku shfaqet duke dhunuar nxënesin
Ministria e Arsimit ka reaguar ndaj videos denoncuese të transmetuar një ditë më parë në emisionin “Stop” në televizionin Klan, ku një mësuese shfaqet duke ushtruar dhunë fizike mbi nxënësin gjatë orës së mësimit, duke e pezulluar nga puna.
Menjëherë pas transmetimit të kësaj video, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla, i është drejtuar personalisht Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë Qytet për nisjen e grupit të inspektimit për verifikimin e ngjarjes që shfaqet në video. Pas verifikimit, rezultoi se mësuesja e shfaqur në këto plane filmike, është Lumturi Bulku, mësuese prej 38 vite pune në profilin Edukim Figurativ.
Ngjarja ka ndodhur në muajin nëntor, 2015, gjatë orës së Edukimit Figurativ, në klasën e VIII -të, të shkollës 9 vjeçare “Ramazan Jarani”, Tiranë.
Në këto kushte, Drejtoria Arsimore Rajonale e Qytetit Tiranë në bashkëpunim me shkollën kanë filluar menjëherë procedurën disiplinore të largimit nga puna të mësueses për shkak të përdorimit të dhunës fizike ndaj nxënësve.
Sakaq, MAS ka duke dënuar ashpër këtë akt të shëmtuar duke i bërë thirrje qytetarëve të denoncojnë akte të tilla.
“Duke dënuar ashpër këtë akt të shëmtuar dhe jashtë çdo lloj etike të profesionit, fton të gjithë nxënësit, mësuesit, prindërit, mediat dhe çdo qytetar në vend, të mos hezitojnë të denoncojnë çdo lloj akti dhune i cili cënon të drejtat themelore dhe të shtrenjta të fëmijëve tanë si dhe dëmton rëndë imazhin e shkollës”, shkruhet në reagimin e MAS.
/l.k./