Mediat ndërkombëtare:Shqipëria, vendi ballkanik që po nis kërkimin e viktimave të regjimit komunist
Portali ndërkombëtar “Court House News” i ka dedikuar një shkrim Shqipërisë dhe zhvillimeve më të fundit të drejtësisë tranzicionale. “Vendi i vogël ballkanik që po hedh dritë mbi të kaluarën e errët” thuhet në shkrim.
Këtë vit ekspertë ndërkombëtarë pritet të nisin procesin e zhvarrosjes dhe identifikimit të viktimave të regjimit të mëparshëm komunist, një regjim brutal dhe diktatorial. Në nëntor të vitit të kaluar parlamenti shqiptar ratifikoi një marrëveshje që do të lejojë Komisionin Ndërkombëtar mbi Personat e Zhdukur për të ndihmuar Shqipërinë të kërkojë trupat e të gjithë atyre që u zhdukën gjatë regjimit të gjatë enverist, një dikator ky i njohur për paranojat dhe izolimin e Shqipërisë nga e gjithë bota.
Më shumë se 6.000 veta u ekzekutuan, shumica pa gjyq, nën regjimin e egër komunist. Trupat e tyre u varrosën në zona sekrete. Ky regjim i egër mori fund në 1991. “Nuk mund të ketë rehabilitim të plotë të viktimave të regjimit komunist pa i gjetur dhe identifikuar këto viktima” u shpreh për portalin Bilal Kola, drejtor i përgjithshëm I Institutit Shqiptar të integrimit të ish- të persekutuarve politikë. “Kjo është e rëndësishme jo vetëm për familjarët e prekur të viktimave, por edhe për shoqërinë shqiptare në përgjithësi”.
Kola u shpreh se regjimi dënoi rreth 103.670 shqiptarë për motive politike si dhe rreth 65.000 individë u dërguan në kampe përqëndrimi. Instituti i Integrimit të ish të përndjekurve politikë është një institucion shtetëror me një mandat që ka për synim të ndihmojë persona të gjejnë të afërmit e tyre pas zhdukjes së këtyre të fundit gjatë regjimit komunist.
Në vitete e fundit qeveria shqiptare ka nisur të hedh dritë mbi të kaluarën. Në 2016 një agjensi shtetërore u themelua për mbledhjen dhe deklasifkimin e arkivave të ish-Sigurimit të Shtetit. Sigurimi përdori përgjimin masiv mbi popullin shqiptar si dhe torturën bashkë me ekzekutimet. Për një kohë të gjatë qeveria shqiptare ka hezituar të hedh dritë për të shkuarën. Pas rënies së regjimit komunist në 1991, shumë shqiptarë u përpoqën të aksesonin dosjet por këto përpjekje u zvarritën dhe neglizhuan deri në 2015.
Madje deri në 2016 qeveria akoma nuk kishte miratuar rezolutën që i dënon krimet e kryera nga regjimi komunist. Luigj Ndou, një përfaqësues i Komisionit Ndërkombëtar mbi Personat e Zhdukur u shpreh se ekspertët fillimisht do të merren me gjurmimin e viktimave dhe zvarrosjen e tyre në dy zona të dyshuara si varreza masive: një pranë malit të Dajtit që ndodhet pranë Tiranës dhe zona e dytë në jug të Ballshit, një qytet ku ka ekzistuar një kamp pune.
Ai u shpreh se rreth 93 ish të burgosur politikë vdiqën në kampin e punës në Ballsh dhe janë varrosur në zona sekrete. Ekspertët u shprehën se shpresojnë të identifkojnë viktimat sa më shpejt. Gjetja e viktimave është vështirësuar për shkak të emigrimit të lartë midis familjarëve të viktimave. Shumë historianë shprehen se identifikimi i viktimave do të ndihmojë në rikthimin e dinjitetit të viktimave dhe familjarëve të tyre si dhe ka rëndësi të madhe për memorien kolektive./k.m/
Burimi: Courthouse News Service