Mbahet Parlamenti i dytë Rural Shqiptar me 600 pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria!

Mbi 600 pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, u mblodhën virtualisht dhe fizikisht në Parlamentin e dytë Rural Shqiptar më 4-5 mars, organizuar nga Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural në koordinim me Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin Epoka dhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, autoriteteve vendore, fermerëve,
organizatave të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë në nivel vendor. Pavarësisht vështirësive të krijuara nga pandemia Covid-19, Parlamenti i dytë Rural Shqiptar, nëpërmjet platformës digjitale dhe falë përpjekjeve organizative dhe koordinuese të Rrjetit Shqiptar për Zhvillim Rural, bëri të mundur realizimin e këtij takimi të rëndësishëm për dialog, bashkëpunim, shkëmbim dhe, diskutim të çështjeve me rëndësi për zhvillimin rural si dhe për të ofruar rekomandime për zhvillimin dhe rigjallërimin e jetës dhe ekonomisë së komuniteteve rurale.
Parlamenti dhe forumet rajonale krijuan hapësira diskutimi dhe konsultimi duke mundësuar kështu forma të tjera për marrjen e kontributeve nga aktorë të ndryshëm. Ky ka qenë një momenti rëndësishëm për të shqyrtuar realitetin dhe për t’u njohur më mirë me nevojat dhe problematikat, për të reflektuar rreth vizionit dhe prioriteteve që synojnë përmirësimin e jetës së komuniteteve rurale në vend.
Nga ky parlament rural iu bë thirrje publike Qeverisë, Parlamentit, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Njësive të Vetë-qeverisjes Vendore, Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor dhe Rural si dhe aktorëve të tjerë publikë dhe privatë, përfshirë këtu akademinë, organizatat e shoqërisë civile, biznesin e të tjerë, të investojnë për rigjallërimin e jetës dhe ekonomisë së komuniteteve rurale pasi konstatohet si e vakët.
Parlamenti Rural mbetet një projekt Evropian…
Ajo që e dallon Rrjetin Kombëtar për Zhvillimin Rural nga çdo organizëm tjetërështë ndërtimi i identitetit të vet në sistemin e qeverisjes së sektorit rural përmes punës për përmirësimin e kapaciteteve të sektorit në të gjithë vendin, ngritjen dhe konsolidimin e instrumenteve të konsultimit publik për çështjet e politikave te zhvillimit rural, monitorimin dhe hartimin e dokumenteve të politikave për një qeverisje më të mirë për zhvillimin bujqësor dhe rural, sensibilizimin edhe advokimin. Si ombrellë organizatash të shoqërisë civile, Rrjeti qëndron fort për promovimin e qasjes “LEADER” në të gjithë vendin.
Sotiraq Hroni
Kryetar i Bordit,
Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural
I promovuar si një model dhe projekt evropian para tri vitesh, Parlamenti
Kombëtar Rural në Shqipëri mbetet një projekt me fokus sa mirëqeverisjen
po aq dhe demokracinë gjithëpërfshirëse. Puna nga Parlamenti i parë në
shtator të vitit 2017 deri në këto ditë përfshin përpjekje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme për të krijuar dhe konsoliduar një identitet sa përfaqësues po aq edhe legjitim të Rrjetit Kombëtar për Zhvillimin Rural (ANRD), që do të ndihmonte advokimin për politikë bërje dhe vendimmarrje të mbështetur në evidencë dhe në prioritetet e komuniteteve rurale. ANRD po zë gjithmonë e më tepër vendin si përfaqësuese e interesave të sektorit privat, shoqërisë civile dhe qeverisjes vendore në sfidat e vendit për zhvillimin e qëndrueshëm rural.
Mbështetur në kontributin e dhënë nga pjesëmarrësit gjatë zhvillimit të
seancave të Parlamentit Rural u nxorrën disa probleme dhe rekomandime për të përmirësuar situatën:
- Skemat kombëtare të mbështetjes së bujqësisë dhe zhvillimit rural
Skemat kombëtare janë një instrument i rëndësishëm për mbështetjen e bujqësisë dhe zonave rurale në përgjithësi. U theksuar rëndësia jetike të institucionalizimit të hartimit të skemave të mbështetjes me pjesëmarrjen e fermerëve dhe grupeve të tjera të interesit. Marrja e mendimit
dhe shqyrtimi i prioriteteve të fermerëve në procesin e hartimit të skemave kombëtare duhet të kthehet në një praktikë të rregullt institucionale.
- Zonat rurale të largëta dhe malore
Zhvillimi rural i referohet procesit të përmirësimit të cilësisë së jetës dhe mirëqenies ekonomike të njerëzve që jetojnë në zona relativisht të izoluara dhe pak të populluara. Sugjerohet për formulimin dhe zbatimin e një politike nxitëse dhe stimuluese për mbështetjen e zonave rurale të largëta dhe malore nëpërmjet: a) përcaktimit të përkufizimit të qartë të zonave rurale dhe të zonave më pak të favorizuara në nivelin e njësive administrative; b) favorizimin me pikë shtesë në skemën kombëtare për fermerët e këtyre zonave dhe c) krijimit të masave specifike në lidhje me grumbullimin, përpunimin dhe kultivimin e frutave të pyllit dhe bimëve mjekësore për grumbulluesit dhe përpunuesit e licencuar të zonës me kushtin që të punësojnë banorë nga këto zona.
- Fermerët e vegjël
Zhvillimi rural i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës përfaqëson alternativën e zhvillimit që fuqizon dhe integron fermerët e vegjël dhe ekonomitë bujqësore familjare. Problematika dhe sfidat me të cilat përballen fermerët e vegjël janë mjaft specifike dhe shpesh të patrajtuara dhe të papërfaqësuara në debatin që zhvillohet për hartimin e politikave për zhvillimin rural. Kjo Deklaratë është e lidhur ngushtë me përfaqësimin e problematikave të zhvillimit të hasura
nga fermerët e vegjël në mbarë Shqipërinë dhe për t’i sjellë ato në vëmendjen e politikëbërjes. Reforma më e madhe e fshatit e nxitur nga Ligji Nr. 7501, “Për Tokën”, mban ende peng shumë ekonomi bujqësore në formalizimin e pronës. Fermerët, në veçanti fermerët e vegjël, vazhdojnë të përballen me vështirësi ekonomike dhe perspektivat e tyre për zhvillim duket se janë duke u zvogëluar. Përqindja e lartë e fermerëve të vegjël dhe problemet me të cilat përballen në mënyrë evidente kërkojnë formulimin e një politike kombëtare për të mbështetur forcimin e SHBB-ve dhe nismat e zinxhirit të shkurtër të vlerës.
- Të rinjtë
Të rinjtë janë të rëndësishëm për vazhdimësinë e jetës në zonat rurale, për bujqësinë si dhe për sigurinë ushqimore. Megjithatë, të rinjtë janë të papërfaqësuar në strukturën e ekonomisë agrare. Vetëm 1% e drejtuesve të ekonomive bujqësore janë të moshës deri 25 vjeç. Studimet tregojnë se në ekonomitë bujqësore, rritja e moshës mesatare, migrimi si dhe mungesa e programeve trajnuese kanë sjellë uljen e ndjeshme të kapitalit njerëzor. Aktualisht, mundësitë e të rinjve për t’u shkolluar apo trajnuar në bujqësi konsiderohen të pakta. Përmirësimi i cilësisë së jetesës në zonat rurale ka gjasa ta bëjë fshatin tërheqës për të rinjtë për të qëndruar. U bëhet thirrje të gjithë aktorëve zhvillimorë të punojnë me të rinjtë me qëllim që të rrisin tek ata dëshirën për të kontribuar për vendin e vet nëpërmjet trajnimeve, mundësive për punësim dhe vetëpunësim dhe trajnimit në vendin e punës. Është me rëndësi të gjenden mekanizmat dhe stimujt e duhur për të rritur interesin e të rinjve për formim në shkollat e mesme profesionale. Gjithashtu, ngjashmërisht me Politikën e Përbashkët Bujqësore të BE- së 2021-2027 sugjerojmë të hartohet një masë e veçantë mbështetje për sipërmarrjet bujqësore të nisura nga fermerë të rinj (nën moshën 39 vjeç).
- Gratë dhe vajzat rurale
Ngjashëm si të rinjtë në zonat rurale, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet përmirësimit të statusit social ekonomik të grave dhe vajzave rurale. Të ndërgjegjshëm se zhvillimi i qëndrueshëm social dhe ekonomik i vendit nuk mund të arrihet nëse nuk u ofrohet mbështetje grave dhe vajzave në zonat rurale që të luftojnë varfërinë dhe përjashtimin social, këmbëngulim se përfshirja e fuqizimit social-ekonomik të tyre në agjendën e politikë- bërjes së sektorit është prioritet. U sugjerua rideminsionimi skemës së mbështetjes së bujqësisë duke brendësuar çështjet gjinore në procesin e aplikimit me qëllim të ngushtimit të hendekut social dhe ekonomik.
- Jetësimi i Qasjes Leader në komunitet rurale shqiptare
Zhvillimi Vendor i udhëhequr nga Komuniteti (CLLD) si një formë e re e zhvillimit të zonave rurale dhe të demokracisë me pjesëmarrje, respektimi i parimit të subsidiaritetit dhe proporcionalitetit si dhe qasja LEADER qëndrojnë në bazë të këtij procesi gjithëpërfshirës me orientim nga poshtë lart. Ndonëse përpjekjet për zbatimin e qasjes LEADER në vendin tonë janë
relativisht të hershme edhe pse të pashoqëruara me mbështetje të qëndrueshme në kohë, veçoritë e zhvillimit të përgjithshëm socio-ekonomik të vendit e evidentojnë atë si faktor thelbësor në përmirësimin e jetesës së komuniteteve rurale, në zbutjen e varfërisë, reduktimin e pabarazive
gjinore e territoriale si dhe forcimin e kapitalit social dhe demokracisë vendore.
Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural fton dhe institucionet e tjera si Ministria e Arsimit, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Mjedisit dhe Turizmit të ndajnë më shumë fonde për institucionet përkatëse nën përgjegjësinë e tyre të tilla si: Universiteti Bujqësor, Qendrat e Transferimit të Teknologjive Bujqësore, shkollat e arsimit profesional, subjektet e tjera kërkimore që mund dhe duhet të sigurojnë kontribut në rritjen e rolit të arsimimit dhe kërkimit në lidhje me inovacionin në bujqësi. Në këtë mënyrë ato kontribuojnë në përmirësimin e të ardhurave dhe mirëqenies së fermerëve dhe njerëzve në zonat rurale si dhe ndikojnë në vendimet e tyre për të qëndruar aty, për të bërë biznes dhe për të mos i braktisur ato.