“Njoftojmë se gjykimet e sotme pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës do të vijojnë të jenë të pezulluara, me përjashtim të çështjeve me karakter të ngutshëm”, shkruhej në lajmërimin e ngjitur në derën e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor të Durrësit. Mesa duket, në gjendjen e emergjencës civile në të cilën ndodhet vendi ynë prej gati një jave, çështja e Xhuljana Aliajt, që ka aktivizuar Gjykatën ditën e sotme, bënte pjesë në kategorinë “e ngutshme” dhe serioze të gjykimeve.
Emri i saj, shumëkujt i thotë diçka këtyre ditëve, teksa efektet e tërmetit të 26 dhjetorit në qytetin bregdetar, ende nuk kanë kaluar. Ajo është një banore e Durrësit, teksa e prekur nga ngjarja, ka shpërndarë në profilin e saj personal në platformën online “facebook”, një artikull nga një burim italian në lidhje me rrezikun e hidrovoreve në zonën e Porto Romanës.
Burimi i fotos Organizata Politike
Me anë të postimit të saj, Xhuliana u bëri thirrje instancave shtetërore për vlerësimin e zonës në fjalë nga ekspertët, për të shmangur çdo skenar të rrezikshëm për banorët e zonës. Ka mjaftuar vetëm ky postim që Xhulianën pas tërmetit ta gjenin forcat policore të strehuar në Tiranë, pranë kushërinjve të familjes, duke e shoqëruar në komisariat me akuzën “Përhapje paniku”.
“Edhe sot që ndodhemi përballë Gjykatës dhe presim me padurim vendimin për Xhulian, akoma nuk e dimë se çfarë krimi ka bërë bija jonë, që po trajtohet si kriminele në ditë të tilla të vështira për Shqipërinë,” u shpreh Fatmir Aliaj, babai i Xhulianës. “Ne duhet ta mbajmë gojën mbyllur si t’i vijë për mbarë pushtetit dhe të mos e ngremë zërin kur jemi në rrezik,” vijoi me revoltë kumbara e së resë, ndërsa pritej vendimi për fatin e Xhulianës.
Pas minutave të pritjes, avokati i çështjes së Xhulianës doli dhe bëri me dije se vendimi për të qe “detyrim paraqitjeje” ndonëse, gjykatësi e kishte cilësuar si të ligjshëm arrestimin e saj. Kështu, vajza u lirua, duke shfryrë në ajër çlirimin, por dhe ankesat e të afërmve të saj, të pranishmëve të tjerë dhe mbështetësve nga shoqëria civile, për padrejtësinë e rastit të Xhulianës.
Censura ndaj shprehjes së mendimit të lirë edhe atëherë, kur shteti ka shpallur emergjencë dhe duhet të merret me menaxhimin e pasojave të katastrofës humanitare me të cilën po përballet aktualisht vendi ynë, tregon në të vërtetë për karakterin represiv të pushtetit tonë qeverisës dhe rasti i Xhulianës as nuk i jep fund censurës dhe as nuk garanton lirinë individuale apo shoqërore të shprehjes, apo miimalisht të drejtën për të kërkuar sigurinë e jetës. Sjellim ndërmend, që këtyre ditëve, paralelisht me rastin e Xhulianës, vijon edhe mbyllja e platformave informuese online, duke e kërcënuar seriozisht lirinë e shprehjes dhe informimit publik në Shqipëri.