Liria e medias, gazetarët pengohen në ushtrimin e profesionit të tyre

Situata e lirisë së medias në Shqipëri duket të jetë përkeqësuar më tej në krahasim me vitin e shkuar, sipas një njoftimi nga Reporterët pa kufij.
“Reporterët pa Kufij” shkruajnë se Shqipëria ka rënë me 7 vende në renditjen botërore për lirinë e medias, duke shënuar përkeqësim të saj dhe duke u listuar tashmë në vendin e 82, nga 180 vende gjithsej.
Media rezulton të jetë e censuruar, ndërsa gazetarët intimidohen dhe kërcënohen si nga qeveria ashtu dhe nga krimi i organizuar. Vetëcensura është një tjetër problem shqetësues te gazetarët dhe sipas raportit prek rreth 80% të tyre.
Gazetarët iu nënshtruan fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe procedimeve ligjore, që synojnë t’i intimidojnë dhe t’i frenojnë ata nga investigimi i korrupsionit. Politikanët, të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i quajnë gazetarët kazan dhe prodhues lajmesh të rreme.
Kryeministri ka propozuar një ligj që ka për qëllim të forcojë kontrollin e shtetit mbi median elektronike dhe, siç thonë kritikët, të kufizojë aksesin tek lajmet dhe informimi.
Një raport i përbashkët i publikuar nga Reporterët pa Kufij dhe BIRN në mars 2018, nxori në pah një numër kërcënimesh që i janë bërë medias në Shqipëri, ku përmendim standardet rregullatore të medias që po manipulohen në favor të interesave të qeverisë dhe pronësia e mediave televizive e përqendruar në duart e pak biznemenëve të mëdhenj.
Reporterët pa Kufij shprehen se indeksi i lirisë së medias për vitin 2019 në të gjithë botën, është futur në një cikël frike.
Përsa i përket paketës anti-shpifje, ligjet e parashikuara janë kritikuar nga grupimet e gazetarëve, midis tyre dhe nga Këshilli Shqiptar i Medias. Në vijim një material që tregon dhe përmbajtjen e paketës anti-shpifje i cili rrezikon të përkeqësojë më tej situatën e lirisë së medias në vend.