Kujdes! Disa agjenci valutore fillojnë të mbajnë komisione deri në 8% për këmbimet
Nëse doni të këmbeni para në pikat e këmbimit valutor në kryeqytet, duhet të tregoheni shumë të kujdesshëm. Ndërsa deri tani praktika rutinë ka qenë reklamimi i kursit të blerjes dhe të shitjes, me një diferencë që në agjenci varionte me 1 lekë (psh euron agjencitë valutore mesatarisht e blejnë me 139 lekë dhe e shesin me 140 lekë), disa agjenci valutore në Tiranë kanë filluar të mbajnë komsione, që arrijnë deri në 8% (shiko foton).
Kosto për klientin është më e lartë, se në agjencitë e tjera që e bëjnë këmbimin në bazë të çmimit të blerjes dhe të shitjes, ndonëse në pamje të parë duket më lirë për shkak se diferenca që shfaqet në tabelë është shumë e vogël, psh 139.8 lekë dhe 140 lekë, me vetëm 0.2 lekë diferencë.
Nëse jeni të pavëmendshëm dhe e kryeni transaksionin, do të rezultojë e vështirë për të kthyer veprimin, në momentin që jeni ndërgjegjësuar se këmbimi ju ka kushtuar më shtrenjtë se normalisht.
Psh, nëse ju doni të shisni 100 euro, një agjenci e zakonshme do jua blejë ato me 139 lekë, pra merrni 13,900 lekë. Nëse e bëni të njëjtin veprim në agjencitë me komision, këto të fundit jua blejnë me 139.8 lekë, (13,980 lekë), por pasi hiqet dhe komisioni prej 8 euro, apo rreth 1100 lekë, do të merrni në fund 12,980 lekë, apo 920 lekë më pak se në rastin e parë. Sa më e lartë të jetë shuma e këmbyer aq më e madhe është diferenca (për 1000 euro ajo shkon 9,200 lekë).
Marrja e komisionit për kryerjen e këmbimeve valutore është një praktikë e përdorur në shumë shtete të tjera, ndërsa në Shqipëri po zbatohet së fundmi.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në vitin 2014, pati rritje të kërkesave të subjekteve për ushtrimin e veprimtarisë financiare të këmbimit valutor. Në fund të vitit 2014, numri i zyrave të këmbimit valutor arriti në 356 ose 23 zyra këmbimi valutor më shumë se vitin e kaluar.
/ Monitor