Kryebashkiaku i Tiranës vazhdon censuron median e lirë

Një ditë pasi faqja Historia Ime informoi publikun se si Bashkia e Tiranës do të vendosë gjoba edhe për fëmijët romë që fshijnë xhamat e makinave, kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj na e ka hequr mundësinë që të kemi akses në profilin publik të tij në Twitter.
Bllokimi i HI në Twitter nuk ka asnjë lloj rëndësie e nuk përbën interes publik.
Por një veprim i tillë, sado i vogël dhe i parëndësishëm të duket, nuk është vetëm një veprim inatçor dhe i nxituar. Ky në fakt është një veprim që tregon mendësinë e z.Veliaj ndaj fjalës së lirë dhe si i tillë, përbën lajm e sigurisht, edhe interes publik.
HI është një faqe e themeluar nga organizata “Pro LGBT” në vitin 2012 për të sjellë në hapësirën publike histori dhe çështje nga grupe të ndryshme të margjinalizuara që nuk zenë zakonisht vëmendjen e duhur në median tradicionale. Një prej këtyre grupeve është edhe komuniteti rom dhe egjiptian.
Ne kemi qenë ndër të vetmit që i kemi ndjekur historitë e tyre, shpesh në konflikt të hapur me kryebashkiakun Veliaj dhe asnjëherë nuk e kemi ndalur betejën për drejtësi sociale.
Faqja jonë është modeste dhe e vogël edhe pse është ndër më të vjetrat mediume online në shqip. E megjithatë ajo që na bën të mëdhenj përpara kryebashkiakut, i cili abuzon me median, është fakti që nuk kemi asnjë interes as financiar e as profesional me të. Për këtë arsye censura e tij ndaj nesh është aq në disproporcion me staturën që një shërbëtor i zgjedhur i qytetit duhet të ketë, saqë zoti Veliaj nuk mund të na bëjë dot asgjë më shumë se të na bllokojë në Twitter.
Çfarë është me interes për tu shënuar në këtë episod është fakti që kryebashkiaku e konsideron hapësirën publike të komunikimit dhë të llogaridhënies për të cilën ai ka detyrimin ligjor, si një hapësirë private.
Jo vetëm kaq. Ai, pavarësisht se kërkon të duket si besimtar e si një njeri që ia ka dhënë jetën Jezusit, në fakt sillet si njeri i vogël që mendon në çdo moment si të hakmerret edhe në episode të tilla kaq të pabarabarta, që të ngjajnë si beteja e Davidit me Goliathin.
Kujtoni, për shembull, si u soll ai me gazetaren e një televizioni e cila kishte përgatitur një reportazh ku raportohej roli i Veliajt në largimin nga jeta e të riut Ardit Gjoklaj dhe për përpjekjen për ta fshehur atë ndodhi. Kujtoni se si u soll me regjisorin dhe autorin e një tjetër programi televiziv që do të transmetonte historinë e Arditit. Kaq mjafton për të kuptuar se kjo lloj sjellje e Z. Veliaj karshi medias që nuk pranon kompromise , mbetet e egër dhe censuruese.
Redaksia e “Historia Ime”