Kriza e emigracionit masiv prek Kroacinë
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga Zyra e Statistikave Kroate, rreth 15.262 qytetarë kroatë kanë emigruar në 2013. Ky numër është rritur ndër vite për të arritur shifrën 42.352 në 2017, në një popullsi prej 4.3 milionë.
Sipas një publikimi të Bankës Kombëtare të realizuar për vitin 2018, theksohet se këto statistika nënvlerësojnë eksodin. Sipas studimit “Dinamikat e emigracionit: Rasti i Kroacisë dhe eksperienca e shteteve të reja të anëtarësuara në BE” tregon se rreth 230.000 persona janë larguar nga Kroacia drejt vendeve të Evropës Perëndimore midis viteve 2013 dhe 2016.
Destinacioni më i parapëlqyer është Gjermania. Irlanda është e treta. Intervista me persona të larguar jashtë Kroacisë dëftojnë se nuk janë vetëm arsyet ekonomike që shtyjnë vendasit të largohen, por edhe motivet sociale si zhgënjimi me nivelin e korrupsionit në shtetin kroat.
Një ndër personat e intervistuar është Milica, e cila vjen nga qyteti i Zupanja pranë kufirit me Serbinë. Kjo është një nga zonat më pak të zhvilluara në vend dhe një ndër më të afektuarat nga emigracioni.
“Këtu bëj punën për të cilën jam edukuar. Në Irlandë edukimi është shumë i rëndësishëm dhe as nuk e imagjinoj dot të kthehem mbrapsht në Kroaci” shprehet Milica.
Sipas publikimit të bërë nga Banka Kombëtare, rreth 71.3% e kroatëve që kanë lëvizur drejt shteteve të BE zgjedhin përgjithësisht Gjermaninë. Rreth 8% zgjedhin Irlandën, e cila ka hequr të gjitha kufizimet për kroatët sapo Kroaci u anëtarësua në BE. Gjermania hapi tregun e punës për kroatët në qershor 2015.
Pasojat e emigracionit masiv, të kombinuara dhe me shifrat e ulëta të lindshmërisë, reflektohen dhe në shkolla. Vetëm për këtë vit 6 shkolla fillore janë mbyllur për shkak të numrit të ulët të nxënësve, teksa 117 nuk kanë pasur fare prurje të nxënësve të rinj./k.m/
Burimi: BIRN