Ndonëse tashmë prej më shumë 1 jave në grevë, duket se protesta e minatorëve të Bulqizës ende nuk po arrin të ketë “vëmendjen” dhe mbulimin e mediave kryesore në vend për pasqyrimin e situatës dhe dinamikat e ndodhura në qytetin e minatorëve.
Prej 9 ditësh, minatorët e organizuar në sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, protestojnë për kushte më të mira pune, pagë më dinjitoze, kthimin e sindikalistëve të pushuar në mënyrë flagrante nga puna dhe për ndalimin e presioneve nga ana e kompanisë Albchrome.
Organizimi i punëtorëve të sektorit minerar nga shpallja e SMBB-së e deri më sot, është ngjarja më domethënëse në Bulqizë të paktën që pas vitit 2011, ku vullneti i minatorëve dhe sindikatës shenjon përpjekjen e tyre më serioze për të drejtat në punë. Në një vështrim të përgjithshëm të edicioneve kryesore të lajmeve dhe mediave të mëdha në vend, duket se nuk ka vend për grevën në kronikat e tyre, ose dhe kur mbulohet e shkruhet për të, lidhjet e lajmeve fshihen vetëm pak minuta pas publikimit.
Kompania Albchrome ka pushuar nga puna minatorë vazhdimisht që nga shpallja e sindikatës dhe sidomos, pas nisjes së grevës së përgjithshme më 25 nëntor. Ndërsa represioni është shtuar ditën e djeshme, teksa janë shoqëruar në komisariat grevistë-sindikalistë dhe aktivistë të çështjes punëtore gjatë protestës në hyrje të minierës së kromit , – mes tyre edhe kryetari i sindikatës Elton Debreshi – të cilët janë mbajtur në komisariat për më shumë se 10 orë. Ndonëse, misioni i mediave është të informojë publikun e gjerë për aktualitetin, asnjë nga ngjarjet e mësipërme nuk është paraqitur në televizione.
Mungesa e transmetimit të ditëve të tilla të rëndësishme për vijueshmërinë e grevës shembullore të minatorëve të Bulqizës, kur ata kanë më së shumti nevojë për mbështetje të gjerë dhe shikueshmëri, e penalizon aktivitetin normal të organzimit punëtor. Në këtë rast media duhet të shërbejë si mjet presioni, mbi të gjitha kur nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga kompania Albchrome për grevën e fortë dhe bllokimin e punës.
Heshtja mediatike, dëshmon se mostransmetimi i çështjeve me impakt social e tërthorazi cenuese të stabilitetetit, imazhit dhe fitimeve të pronarëve të kompanive të caktuara, i faturohen kësisoj dhe interesave e pozitave të partneriteteve të mediave me këta të fundit. Episode të tilla, vetëm sa e përkeqësojnë situatën me censurën mediatike, fatin e lirisë së shprehjes, të drejtës së informimit dhe organizimit sindikal në vend.