Ana e errët e azilit
Nga vatrat e krizës nëpër Ballkan drejt Europës: një reportazh i revistës DER SPIEGEL mbi biznesin vdekjeprurës të trafikimit ë qenieve njerëzore.
Ai çmendej pas makinave, thotë nëna e tij. E përshkruan si njeri të pazoti, një burrë që punën e mekanikut më shumë e ka si hobi.
Gruaja dhe e bija e tij e konsideronin si burrë dhe baba të mirë, megjithëse rrallëherë e shihnin në shtëpi. Megjithatë, për Europën mbarë, Metodi G., i njohur më shumë si Mitko, është pjesërisht përgjegjës për vdekjen e 71 refugjatëve.
Mitko është trafikant i qenieve njerëzore.
Pesë ditë pas gjetjes së kamionit-frigorifer në autostradën A4 në Austri, bashkë me 71 kufoma brenda tij, nëna e Mitkos na fton të hyjmë në dhomën e ndejës së shtëpisë në Lom, një qytezë në veriperëndim të Bullgarisë. I biri i saj, bashkë me katër të dyshuar të tjerë, po mbahen në një qendër paraburgimi qe disa ditë me radhë. Ai ngulmon se është i pafajshëm, por rrethanat nuk shkojnë në favor të tij.
Nëna e tij na shërben me kafe dhe thotë se Mitko kurrë nuk do të donte që njerëzit të vdisnin. Thotë se ka goxha do kohë që nuk e ka parë të birin, por afërmendsh se e di se shumë njerëz në rrethinë janë të përfshirë në biznesin e majmë të refugjatëve.
Nuk është habi, thekson ajo, se bullgarët e varfër po i ndihmojnë refugjatët e gjorë nëpër kufijtë e Europës. Ajo thotë se sirianët në mënyrë të veçantë janë njerëz në gjendje të mirë financiare. “Ata kanë para për të paguar këto udhëtime”.
71 persona që ishin munduar të iknin prej luftës dhe vuajtjes së pafundme, vdiqën pak para se të mbërrinin në cakun e tyre.
59 burra, tetë gra, tre djem dhe një vajzë një vit e gjysmë u ngufatën. Nuk vdiqën ndokund në ujërat e Mesdheut, por në zemër të Europës. Janë gjetur anash autostradës, vetëm pesëdhjetë kilometra larg Vjenës.
Trupat e dekompozuar ishin fshehur në një kamion frigorifer që dikur ishte përdorur për transportimin e mishit të ngrirë të pulës. Të martën e 27 gushtit, një nëpunës i ASFINAG-ut, operator i autostradës austriake, gjeti kamionin në krah të autostradës, të parkuar si të kishte ndonjë defekt.
Zona menjëherë u shndërrua në Pikën Zero për katastrofën e refugjatëve në Europë. Tmerrit menjëherë iu mbyllën dyert dhe mbase, nëse kishte diçka që do t’ia çelte me gishta sytë Europës, ishte ky incident: Europa më në fund po zgjohej prej kësaj topitje të madhe.
Përditë po vdesin njerëz për shkak të politikës se refugjatët së pari duhet të hyjnë në Europë para se të mund të aplikojnë për azil. Dhe për këtë shkak ata duhet të qëndrojnë në vendin ku kanë aplikuar dhe nuk lejohen të udhëtojnë përtej atij shteti anëtar të BE-së. Është kjo një situatë që e kanë parë si jashtëzakonisht përfituese trafikantët e qenieve njerëzore. Ata e kanë shfrytëzuar situatën duke u kërkuar prej 300 deri në 400 euro për kokë refugjati të gjithë atyre që dëshirojnë të udhëtojnë në kamionët e stërmbushur prej Budapestit deri në Vjenë, megjithëse një biletë treni nuk do të kushtonte më shumë se 50 euro.
Marrëzi e madhe
Refugjatët po vdesin për shkak se po dështon Europa. Por drama nuk ka të sosur. Vetëm një javë pas katastrofës në autostradën A4 në Austri, një tjetër fotografi e tmerrshme u shpërnda gjithandej, kësaj here ishte fotografia e djaloshit sirian që dallgët e kishin nxjerrë të vdekur në breg.
Ishte fundosur derisa po mundohej të kalonte nga Turqia në ishujt grek të Kosit. Edhe familja e tij ia kishte besuar fatin duarve të trafikantëve të qenieve njerëzore.
Këto tragjedi shërbejnë për ilustrim se sa i madh është dëshpërimi që ka kapluar refugjatët – dhe sa të pashpirt janë ata që refugjatët ua kanë besuar jetën e tyre. Ka shumë indikacione se vdekja e 71 refugjatëve nuk ishte krim i planifikuar, por mbase ishte rezultat i pakujdesisë së tmerrshme dhe njerëzve të krisur. Por mund të ndodhë edhe në të ardhmen; ky është leksioni i sikletshëm i nxjerrë prej tragjedisë. Së paku nëse nuk ndryshon asgjë.
Mijëra persona vazhdojnë të hyjnë në Europë çdo ditë. Vetëm gjatë tetë muajve të kaluar, pothuajse një çerekmilion njerëz kanë kaluar ishujt grekë, përfshirë djem, familje, gra shtatzëna dhe fëmijë nga Siria, Iraku, Egjipti, Eritrea, Sudani dhe vende të tjera. Shumë prej tyre po ikin prej bombave dhe terrorizmit – dhe ata janë të përgatitur të harxhojnë edhe paratë e fundit dhe t’ua besojnë jetën e tyre njerëzve që nuk i njohin fare.
Në fund, së paku gjatë ditëve të kaluara, ata ngelën në stacionin e trenave në Keleti në Budapest, ku autoritetet hungareze nuk i lejuan të hipnin në trena që të vazhdonin udhëtimin e tyre. Disa refugjatë kishin shkruar pankarta: «Duam të shkojmë në Gjermani». Në një moment dikush nis të bërtas, për të vazhduar pas pak zëshëm e në mbështetje të të tjerëve: «An-ge-la! An-ge-la!» Ata që bëjnë thirrje urgjente për ndihmë kanë ngelur jashtë, duke qëndruar pranë taksive dhe autobusëve.
Udhëtimi nga Siria deri në Gjermani kushton së paku 2500 euro për person, me tregun e trafikimit të qenieve njerëzore që besohet se ka përfituar qindra miliona euro vetëm sivjet. Organizata “The Migrant’s Files”, një konsorcium gazetarësh nga më shumë se pesëmbëdhjetë vende europiane, llogarit se emigrantët u kanë paguar trafikantëve rreth 16 miliardë euro që nga viti 2000. Në mesin e atyre që përfitojnë janë rekrutuesit, kapitenët e anijeve, ndërmjetësuesit, njerëzit që lëshojnë ilegalisht banesa me qira, skautët dhe shpëlarësit e parave. Ka peshq të vegjël dhe peshq të mëdhenj – dhe burra si puna e Metodi G. nga Bullgaria. Ata janë logjistika e hijeve. Ata gjejnë rrugë edhe aty ku nuk ka asnjë.
Tokë e pëlleshme
Ngritja e shifrave në nivel të përgjithshëm në dramën e refugjatëve është rezultat i drejtpërdrejtë i dështimit të BE-së për të adresuar si duhet krizën. Europa ende nuk ka plan ose strategji për të menaxhuar numrin në ngritje të refugjatëve. Në vend të kësaj, vendet fajësojnë njëra-tjetrin për katastrofën humanitare që ngadalë është zhvendosur prej periferisë në zemër të Europës.
Kaosi politik ofron tokë të pëlleshme për trafikantët, sepse, ndryshe prej krerëve të Europës, ata kanë një plan. Transportojnë klientët e tyre nëpërmjet tri rrugëve kryesore: nëpërmjet Mesdheut nga Afrika Veriore për në Itali ose Spanjë; nëpërmjet rrugës tokësore lindore nga Turqia në Bullgari; dhe përgjatë shteteve të Ballkanit nga Greqia nëpërmjet Maqedonisë, Serbisë dhe Hungarisë. Së fundi, kjo rrugë po rrahet më shumë për shkak se kufijtë në Maqedoni dhe Serbi janë porozë dhe zyrtarët kanë humbur sfidën me refugjatët. Në krahasim me rrugën lindore, është më e shtrenjtë, por rruga nëpërmjet Bullgarisë është bërë më pak atraktive për shkak se Sofja zyrtare ka dërguar më shumë se 1500 policë për ta fortifikuar kufirin me Turqinë. Rrëfimi i Metodi G. tregon se sa joshëse dhe tunduese është për të rinjtë që të bëjnë para prej kaosit që mbisundon në Ballkanin Perëndimor.
Metodi ishte rritur në lagjen rome të Lomit, një qytezë bullgare e lënë anash që ka rreth 24 mijë banorë. Makinat, shtëpitë mobile dhe kamionçinat e shkatërruara janë vendosur ndanë rrugës së pluhurosur që çon drejt shtëpisë së familjes së tij. Rruga është vërshuar nga mbeturinat dhe një grup burrash masakrojnë një derr.
Është një prej rajoneve më të varfra në BE dhe është pikërisht ky vend ku trafikantët rekrutojnë ndihmëtarët e tyre. Shumë prej shoferëve që i nxjerrin refugjatët në anën serbe dhe hungareze janë të këtyre anëve. Në fakt së paku tre prej personave që po mbahen prapa grilave si të dyshuar në lidhje me vdekjen e 71 personave në Austri, thonë se ky rajon është vendlindja e tyre. Janë nga Lomi, Archari dhe Brusartsi – vende rurale të anashkaluara në këtë cep të Europës.
Metodi ishte djalë i urtë, thotë familja e tij. Kishte lënë shkollën pas klasës së dhjetë, nisi të blinte makina, duke i ndrequr nga pak dhe pastaj i shiste përsëri. «Si krejt», thekson nëna e tij Goranka ulur në kanape. Mitko, 29 vjeç, është më i madhi prej tre djemve të saj. «Është djalë i mirë dhe bujar, por gjithnjë ka qenë nga pak përtac». Burrin e ka punëtor ndërtimtarie, sikur edhe dy djemtë e saj më të rinj. Familja merr në tërësi pesëqind euro në muaj prej punës së burrave.
Goranka tregon fotografinë e ekskursioneve dhe festave të familjes.
Aty shihen djemtë e saj me një ëmbëlsirë dhe triçikletë. Mitko ishte djalë që skuqej e marrohej, ngulmon nëna, por i shkonte për shtat puna në industrinë e transportit. Pothuajse menjëherë pasi kishte marrë patentën e shoferit nisi të punonte si shofer. Mbase kështu mund të shmangej. Në fillim i voziste punëtorët nga Bullgaria deri në Itali dhe Gjermani për 100 euro turrën. Ai flinte dhe hante në makinë. I pëlqente ta shkelte goxha shumë pedalen e gazit. Shpeshherë ishte gjobitur në Bullgari për shpejtësi të lartë. Meqë nuk i paguante gjobat, i ishte marrë patenta e shoferit.
Kur e pa se mund të dënohej me tetë muaj burgim, u largua nga Lomi, thekson gruaja e tij, Velichta T.
Të dyshuarit
Metodi u kishte rënë në sy edhe autoriteteve në Gjermani. Para gjashtë vitesh dyshohet se kishte vjedhur në një stacion gazi në Bochum, duke u larguar bashkë me 1000 euro në xhep. Dy herë ishte kapur prej policisë duke drejtuar makinën për patentë në Bavari.
Më vonë, Metodi i kishte hyrë biznesit të trafikimit. Më 25 korrik thuhet se ishte në kamion duke bartur 38 refugjatë që ishin nxjerrë në Bavari. Metodi ishte arratisur dhe prokuroria publike kishte nisur hetimet.
Dëshmitë tregojnë se Metodi G. ishte alamet kriminel, por nuk ka dëshmi të forta se ishte figurë prijatare në biznesin e trafikimit.
Nëna e tij thotë se nuk dinte asgjë për këtë punë. Para një jave, të premten, e kishte telefonuar nënën që t’i tregonte se ishte arrestuar dhe se ishte në burg në Budapest. Kishte moti kohë që nuk e pyeste të birin si po i fitonte paratë. Gruaja e Mitkos thotë se kishte lexuar diku se ka diamante në Siri.
Samsooryamal L., që më shumë e njohin si Samsoor, është një tjetër i dyshuar. Është nga Jalalabadi i Afganistanit dhe jeton në Budapest. Mendohet se ishte prijës i grupit të trafikimit dhe gjithashtu është i arrestuar. Autoritetet gjermane gjithashtu kanë një dosje për Samsoorin, për të cilin policia në Bremen vlerësonte se po qëndronte ilegalisht në vend. Është i martuar me një grua hungareze, nëpërmjet së cilës me siguri se ka marrë leje qëndrimi në Hungari. Edhe Samsoori ngulmon se është i pafajshëm.
Samsoori nuk ishte aspak tinëzar në punën e tij. Në fotografitë e tij në Facebook shihet se si hollaku 28 vjeç mban mjekër të gjatë.
Ai shihet para një veture BMW të madhe dhe në “Margaret Island” midis Budapestit.
Kassim S., 50 vjeç – bullgar me rrënjë nga Libani – ishte gjithashtu në mesin e atyre që janë arrestuar. Regjistrimi i kamionit është në emër të tij dhe llogaritet si pronar. Në Facebook dhe Badoo shihet në fotografi duke qeshur me mbesën. Në profilet e tij, shkruan se është nga qyteti libanez, Tyros.
Në fund të javës së kaluar hetuesit kanë bastisur banesën e tij në katin e katërt në një ndërtese të vjetër në distriktin qeveritar në Budapest. Fqinjët i kanë njohur fotografitë e Kassim S. dhe kanë thënë se ishte zhvendosur para disa muajsh dhe se fliste zëshëm në telefon. Samsoor L. mendohet se e kishte vizituar në banesën e tij.
Kassim S. ishte përfshirë në biznesin e makinave, duke blerë e shitur makina të përdorura nga një pazar në Linz. E kishte regjistruar në Hungari kamionin ku vdiqën refugjatët datën e 25 gushtit. Ende ishte në kamion logoja e firmës sllovake Hyza.
Hetuesit besojnë se udhëtimi që mbaroi me vdekje ishte hera e parë që grupi i trafikantëve e kishte përdorur kamionin e Hyzas. Hetuesit kanë identifikuar gjithashtu kamionçina të tjera që mendohet se grupi i ka shitur. Duket se grupi kishte planifikuar të krijonte një flotë kamionësh për të rrahur rrugën Budapest-Vjenë.
Refugjatët në Austri kanë kontaktuar prej ditës së tragjedisë policinë dhe kanë thënë se edhe ata ishin transportuar në Austri brenda kamionit-frigorifer me logon e Hyzas anash. Disa sish kanë thënë se kishin humbur ndjenjat gjatë udhëtimit dhe se nuk kishte mjaftueshëm ajër të freskët. Policia tani po kërkon makinat e tjera të përdorura prej grupit.
Pak më shumë se një orë
Autoritetet gjermane gjithashtu kanë të dhëna për Kassim S., emri i të cilit është i lidhur me shumë hetime të ndryshme në trafikimin e refugjatëve. Hetuesit besojnë se ai ishte i përfshirë në sigurimin e makinave, megjithëse edhe ai ngulmon se është i pafajshëm.
Por dikush duhet të jetë fajtor – dikush që mbylli dy dyert prapa 71 burrave, grave e fëmijë. Kamioni kishte një frigorifer “Carrier”, që mund të ulë temperaturën deri në minus 20 shkallë celsius, por vetëm nëse rimorkio mbyllet hermetikisht.
Në momentin e mbylljes së dyerve, bota e 71 personave ishte zvogëluar në pesëmbëdhjetë metra katrorë, me hapësirë të mjaftueshme për të qëndruar në këmbë, por jo edhe për të lëvizur. Nuk ka asnjë mundësi që rimorkio të hapej, dhe me siguri se dyert ishin mbyllur jashtë edhe me siguresa teli. Një njeri i pjekur thith mesatarisht nga gjashtë litra ajër në minutë dhe rimorkio nuk kishte më shumë se 45 metra kub ajër. 71 personat në rimorkio kishin një orë, ose pak më shumë se kaq.
Pak dihet për viktimat. Hetuesit thonë se dhëmbët e tyre tregojnë se kishin të kaluar të ndryshme dhe se shumë prej tyre kishin dokumente siriane identiteti.
Udhëtimi prej Sirisë drejt Europës perëndimore kalon nëpër fusha, male, qytete dhe qyteza. Është rrugëtim prej tre mijë deri në katër mijë kilometra torture në barka, autobusë, trena dhe këmbë – nën tela gjemborë, sipër mureve dhe përtej deteve. Trafikantët në pjesën e udhëtimit nëpër Ballkan operojnë si agjenci udhëtimesh dhe ofrojnë shërbime, pavarësisht shqetësimeve që mund të ngrehin refugjatët. Ata ofrojnë gjithfarë pakosh udhëtimi me qëndrim në hotele ose i lënë në qiell të hapur refugjatët që nuk kanë mundësi financiare. Për shumë prej refugjatëve, udhëtimi fillon në Stamboll, me njëfarë tipi me emrin Yasin.
Yasini, 28 vjeç, është nga Damasku dhe për çudi flet hapur për punën e tij. Ai rri ulur në një çajtore në lagjen e shtresës punëtore të Stambollit, Askaray, ku ata që kërkojnë azil zakonisht vënë kontaktet e para me trafikantët. Puna e Yasinit është rekrutimi i myshterinjve, veçanërisht bashkatdhetarët sirianë, në rrugë, kafene, internet-kafene dhe vende të tjera ku dalin sirianët.
Në momentin që fiton besimin e një refugjati, i bën ofertën.
Yasini kishte punuar si inxhinier teknologjie në Siri para se të arratisej në Stamboll para një viti e gjysmë. Ai mban një fanellë të ekipit turk të futbollit, Fenerbahçe, me tuta, flokë të zeza dhe nuk rruhet. Gjatë ditëve të para në Stamboll, kishte larë enë, para se të gjente punën me një rrjet trafikimi nëpërmjet një shoku. Rrjeti i Yasinit ofron kalim nëpërmjet rrugës së Ballkanit perëndimor, si dhe nëpërmjet rrugës së Ballkanit lindor, dhe kushton pesëqind euro për kalim prej Turqisë në Bullgari me një kamion mallrash. Udhëtimi matanë Egjeut në një barkë kauçuku kushton një mijë euro, derisa i njëjti udhëtim me një barkë më të sofistikuar arrin në tre mijë euro. E ata që dëshirojnë të vazhdojnë drejt Gjermanisë, ta zëmë, duhet të paguajnë deri në katër mijë euro shtesë. Një biletë aeroplani deri në Frankfurt, me dokumente të falsifikuara, kap vlerën e 15 mijë eurove për kokë refugjati.
Transfer i sigurt
Trafikantët nuk shikojnë vetëm në rrugë myshterinjtë potencialë, por kalojnë kohë të gjatë edhe në rrjete sociale dhe operojnë në faqe Facebooku, me emra si “Trafikim për Europë” dhe “Si ilegal në Suedi”. Një burrë, që e quan veten Abu Ali, shkruan: “Nuk mund të mbërrini në Europë më lirë”. Një tjetër flet për ofertën e “transferit të sigurt” nga Egjipti në Itali për 2500 euro.
Disa madje postojnë edhe numrat e celularëve.
Yasini kurrë nuk është takuar me ata që janë më lart hierarki.
Shefi i tij ka punësuar dhjetëra rekrutues, financierë, shoferë dhe gardianë, jo vetëm në Turqi, por edhe në Greqi dhe në vendet e tjera të Ballkanit. Një oficer turk policie, që ka vite me radhë që heton këtë trafikimi, thekson se biznesi i trafikimit brenda Turqisë kontrollohet prej pak grupesh, me prijësit që janë turq ose kurdë. Ata angazhojnë njerëz si puna e Yasinit që të kryejnë punën e pistë.
Në Izmir skena dyshohet se kontrollohet prej një turko-gjermani – një burrë i moshës së mesme që vartësit e tij e quajnë “Balena”. “Balena” dikur kishte vuajtur një vit burg në Gjermani për shitje të makinave në mënyrë ilegale dhe pastaj ishte përfshirë në biznesin e trafikimit kur ishte kthyer në Turqi. Rrjeti i tij tani është zgjeruar deri në Gjermani, derisa në Izmir ka restorante, ndërtesa me zyra dhe hotele.
Detyra e Yasinit mbaron me arritjen e marrëveshjes. Ai pastaj i kalon myshterinjtë te financieri, që kujdeset për transferimin e parave nëpërmjet të ashtuquajturit sistem “havala”. Përparësia e këtij sistemi transferi parash është se asnjëherë për këtë punë nuk marrin vesh bankat ose autoritetet mbikëqyrëse financiare. Rrjetet e trafikimit kanë së paku tri zyra “havala” në Aksaray, me degë në Izmir, Bodrum dhe Mersin. Zyrat zakonisht veprojnë si këmbimore, por nganjëherë instalohen brenda argjendarive ose në qendra telefonish. U lënë emra myslimanë si “Al-Rsheed”.
Sistemi bazohet në mirëbesim. Refugjatët deponojnë shumën e pazarit në njërën prej zyrave, bashkë me «taksën» prej njëzetë dollarësh. Në këmbim, marrin një letër me kodin numerik për të cilin instruktohen t’ua ofrojnë trafikantëve kur të arrijnë në destinacionin e tyre. Qëllimi i kësaj është që të mos lihen refugjatët para se të arrijnë në cakun e tyre – dhe që t’u ndalohet shoferëve t’i vjedhin bosat e tyre.
Prej Stambollit, shumë prej refugjatëve udhëtojnë drejt Bodrumit, qytetit bregdetar në Egje në Turqi, që është bërë çerdhe e refugjatëve dhe e trafikantëve. Vetëm pak kilometra matanë është ishulli grek Kos, dhe trafikantët po dëshmojnë shkathtësitë e tyre në trafikimin e grupeve të vogla prej anës turke. Në barka kauçuku ngarkohen refugjatët dhe u thuhet që të pedalojnë derisa të mbërrijnë në Europë. U kushton nga 500 deri në 1000 euro.
Ngarkohen deri në 70 persona në barkat që nuk janë më shumë se pesë metra të gjata. Bodrumi është porta e tyre drejt rrugës së Ballkanit perëndimor.
Patrullat policore turke patrullojnë natën e ditën përgjatë bregut, por pa farë suksesi. Trafikantët e Bodrumit kanë zhvilluar aftësinë e shmangies nga kapja. Ata sillen midis plazhit, duke kaluar nëpërmjet çadrave, duke vlerësuar përherë gjendjen. Flasin vazhdimisht me celularë ndërmjet vete dhe në momentin që sigurohen se gjithçka është pastër, lëshojnë nga pesëmbëdhjetë barka të stërmbushura me refugjatë në drejtim të Kosit. Ata i sigurojnë refugjatët se gjithçka do të shkojë mirë. Policia turke ka bërë të ditur se vetëm para dy javësh janë shpëtuar më shumë se dy mijë persona.
Me zbardhjen e ditës, dallgët nxjerrin në breg këpucë, çorape, shishe të thata uji, dëshmi të asaj çfarë ka ndodhur natën para se refugjatët u hodhën këmbëzbathur në barka dhe nisën udhëtimin drejt Europës.
Rreziqe të shumta
Shenjat se sa e madhe është bërë industria e trafikimit mund të gjenden edhe në Stamboll, Beograd dhe Budapest. Me numrin e myshterinjve në ngritje, po ndryshon edhe modeli i biznesit të trafikantëve. Barkat dhe kamionët që po përdoren janë gjithnjë e më të mëdhenj, siç janë edhe rreziqet që trafikantët janë të gatshëm t’i marrin përsipër për transportimin e myshterinjve të tyre.
Deri tani, biznesi ka joshur kriminelë me nam në Turqi dhe Ballkan.
Numri i rrjeteve të krimit të organizuar është relativisht i vogël, megjithëse ato ekzistojnë. Mbi të gjitha, nëse dëshironi të pasuroheni duke shfrytëzuar varfërinë, frikën dhe luftën, është e domosdoshme të keni një rrjet njerëzish në disa kontinente që janë inteligjentë, të paskrupullt, ambiciozë dhe kanë aftësinë për të planifikuar me përpikëri. Duhet të jeni person si Ermias Ghermay.
Ghermay, që me origjinë është nga Etiopia, është një burrë i moshës së mesme që flet arabisht, anglisht dhe italisht. Jeton në Tripoli, kryeqytet i Libisë. Prokurorët italianë dyshojnë se është një prej peshqve të mëdhenj të biznesit të Mesdheut. Ata besojnë se Ghermay është përgjegjës për transportin masiv të refugjatëve nga Libia dhe dyshojnë se ka trafikuar më shumë se 15 mijë persona nga Afrika nëpërmjet Italisë në Europë. Besohet se organizata e tij gjeneron miliona euro në vit.
Dëshmitë e hetuesve italianë ofrojnë fakte se sistemi i Ghermayt përfiton prej luftës dhe shpërnguljes së njerëzve. Ai ofron udhëtimin drejt Europës për 2000 deri në 2500 euro për person.
Hetuesia italiane ka dy vjet që përgjon të gjitha thirrjet telefonike të tij, duke mbajtur nën mbikëqyrje edhe ndërmjetësuesit e tij. Dy bashkëpunëtorë të ngushtë të tij janë arrestuar, por bosi i tyre mbetet i lirë në Tripoli, ku besohet se jeton nën mbrojtjen e milicive libiane.
Megjithatë, nuk duket se ka liderë mafiozë në skenën e trafikimit me përvojë dekadëshe të tipit të tregtisë ndërkombëtare të drogës. Agjencitë gjermane të sigurisë besojnë se trafikantët dhe bashkëpunëtorët e tyre janë zakonisht ish-refugjatë, që kanë ngecur diku derisa po mundoheshin të largoheshin – duke iu bashkuar kriminelëve lokalë me të cilën ranë në kontakt. Dhe ani pse refugjatët paraqesin një burim të hyrash, ato para shpërndahen në mesin e shumë njerëzve. Analizat e përgjimit të bisedave ndërmjet trafikantëve nuk kanë sjellë dëshmi se ka ndonjë rrjet të veçuar trafikimi. Duket se Ermias Ghermay më shumë është përjashtim se rregull.
Për shumicën e refugjatëve, udhëtimi vazhdon nga Greqia nëpërmjet Maqedonisë – shpeshherë me autobus ose tren, por nganjëherë edhe në këmbë. Shumë prej tyre kanë një listë të gjatë numrash telefoni të trafikantëve të ndryshëm, me kontakte në secilin shtet.
Lista të ngjashme janë gjetur edhe në xhepat e refugjatëve të vdekur në Parndorf.
Hoteli «Mr. President»
Rruga e Ballkanit perëndimor vazhdon në drejtim të veriut për në kryeqytetin serb, Beograd, një vendbanim me ndërtesa të hirta dhe me beton. Afër stacionit qendror të trenit, jo fort larg prej lumit Danub, hoteli me katër yje «Mr. President» është bërë selia jozyrtare e fluksit të refugjatëve.
Shumë refugjatë po qëndrojnë në këtë hotel, ose së paku ata që i kanë xhepat më të thellë, para se të marrin rrugën drejt Austrisë, Gjermanisë, Belgjikës ose Holandës. Ata flenë në dhoma, ku portretet me vaj të Vladimir Putinit, Leninit, Ronald Reaganit dhe të liderëve botërorë të së kaluarës dhe të së tashmes qëndrojnë varur sipër shtretërve. Janë 61 dhoma në ndërtesën me shtatë kate.
Por burrat përnjëmend të pushtetshëm mund të gjenden ulur në karrige përpara hyrjes duke biseduar në celular. Ata kanë veshur kanotiere të hapura te qafa dhe tuta të lehta. Secili prej tyre ka nga tre celularë, kufje në vesh dhe një mbushës baterish në tavolinë.
Hoteli «Mr. President» është selia e tyre. Të gjithë burrat flasin arabisht. Refugjatët paguajnë më shumë se 1500 euro që të trafikohen përgjatë shtegut malor më pak se dyqind kilometra larg prej këtu në kufijtë e Hungarisë.
Vetëm para disa javësh, çmimi nga Beogradi deri në kufirin hungarez ishte maksimalisht treqind euro, por çmimet kanë fluturuar prej shpërthimit të eksodit. Nuk ka makina të mjaftueshme për të kryer punë dhe thjesht ka tepër refugjatë.
Natën e së mërkurës së kaluar, rreth 60 refugjatë mund t’i shihje duke pritur përpara hotelit me valixhe në tokë. Pak para se ata të largoheshin, shefat e trafikimit dolën nga «Porsche Cayenne» dhe një «Porsche Panamera». U rehatuan në karriget e kafenesë së hotelit, të kënaqur që biznesi po u shkonte fjollë.
Refugjatë të varfër e të pasur vijnë këtej në «Mr. President», shpeshherë me makina të njëjta që do t’i çojnë ata në kufirin e BE-së.
Dy sirianë shpjegojnë se çdo refugjat e di se hoteli «Mr. President» është vendi prej ku njerëzit nisen drejt BE-së.
Rekrutuesit shpeshherë u afrohen të porsaardhurve si të kalojnë kufirin nga Maqedonia në Serbi, duke u thënë se mund t’i dërgojnë deri në Beograd e Budapest.
Kjo ndihet edhe në ajër. Janë të shumtë ata që dalin ta kryejnë këtë punë në terren. Rreth gjashtëdhjetë burra ndjekin këtë punë nëpër stacionin qendror të trenit në Beograd. Kamionë të vegjël dhe kamionçina i presin në anën tjetër të stacionit. Njerëzit hyjnë në to dhe makinat marrin drejtim.
Rrethoja gjembore
Ballkani mbaron dhe BE-ja nis midis fushave të misrit dhe pikërisht në këtë vend, në kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, qeveria hungareze dëshiron të ndalë valën e emigrantëve – të gjithë kamionët dhe kamionçinat nga hoteli «Mr. President» vijnë e ndalen këtu. Para disa javësh, gardianët e patrullave kufitare kanë nisur ndërtimin e rrethojës 175 kilometra të gjatë dhe me tre tela gjemborë. Është planifikuar si një mur kundër emigrantëve që vijnë nga jugu. Qeveria planifikon të ndërtojë një rrethojë të lartë gjembore solide prej katër metrash lartësi, por deri atëherë duhet të mbështetet në këtë rrethojë të përkohshme. Por edhe kjo nuk po kryen punë.
Disa zona është e pamundshme të rrethohen, si shtigjet në zona të thella përgjatë hekurudhës Suboticë-Szeged që çon drejt qytetit kufitar Roszke. Prej këtu kërkohen vetëm dy vozitje me makinë nga Beogradi dhe refugjatët zakonisht udhëtojnë natën. Ecin në këmbë përgjatë kufirit ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë si të mos ekzistonte fare – djem me valixhe të rënda në shpinë, pleq, familje me fëmijë, shumica prej të cilëve refugjatë sirianë.
Të shtunën e javës së kaluar rreth 3080 refugjatë kaluan kufirin, pasuar të dielën prej 2890 dhe të hënën 1797. Askush nuk po bën asgjë për t’i ndalur, sepse ka shumë refugjatë. Trafikantët në Roszke njihen prej fjalëve koduese. «Arabisht, arabisht?», thërrasin ata nën petkun e territ.
Dy gra me shami të bardha shihen duke qëndruar në një stacion kamionësh duke shikuar se mos ka policë. Disa makina «Audi» janë pak më larg, me xhamat e ulur. Ndërmjet tyre janë burra romë kokërruar që kërkojnë myshterinj që do t’i dërgojnë deri në Budapest. Udhëtimi kushton ndërmjet 200 dhe 300 euro, dhe trafikantët mund të fitojnë mijëra euro në ditë.
Udhëtimi drejt veriut me refugjatët që ikin shpejt e shpejt prej këtu kryhet nëpër rrugët të mira dhe nëpër autostradën M5.
Vozitja bëhet ndanë fushave me luledielli dhe me misër. Ka edhe motele e bujtina, si dhe rrjet të bordeleve «Paradiso». Shihet shenja rrethore me yjet e arta të Bashkimit Europian. Udhëtimi nga Rozske deri në Parndorf është rreth katërqind kilometra gjatësi.
Për treçerek ore arrihet në Parndorf, ku Gerlad Tatzgern qëndron ulur në zyrën policore të hetimeve kriminale në stacionin e Vjenës.
Si shef i Taskforcës për Trafikimin e Qenieve Njerëzore ai është hetuesi më i njohur në vend kur vjen puna te grupet e trafikimit, të mëdha e të vogla. Rastet më të rënda përfundojnë në tavolinën e tij të punës. Ai e njeh fort mirën rrugën drejt Serbisë dhe hotelin «Mr. President» fort mirë. Baba i tre fëmijëve, 47-vjeçari Tatzgern flet shpejt dhe saktë me një ton miqësor.
Ai dhe oficerët e tij po bëjnë çfarë po munden për parandalimin e katastrofave si ajo që ndodhi në A4. Në të vërtetë, vetëm dy orë para takimit tonë, që u zhvillua në fillim të javës së kaluar, ata arrestuan një të dyshuar tjetër të lidhur me rastin, thekson ai.
Tatzgerni është i familjarizuar me skenën e trafikimit përgjatë Ballkanit perëndimor, duke i përshkruar grupet si rajonale dhe me pak rrjete të organizuar me më shumë se 200 anëtarë. Sipas përfitimeve të tyre, ai thekson se janë «absolutisht të krahasueshme me tregtinë e drogës».
Të ligë e shpirtkazmë
Ai rrëfen historinë e një rrjeti që ai dhe njerëzit e tij e kishin zbuluar në Turqi më 1994 pas vdekjes së pesë tamilëve. Megjithëse e di se kush është përgjegjës, ai thekson se prijësi i rrjetit mbetet në arrati dhe ende është aktiv në skenën e trafikimit në Turqi.
Tatzgerni thotë se burri ka kontakte me njerëz brenda Partisë Popullore të Kurdistanit (PPK), si dhe me njerëz brenda elitës politike dhe biznesore në Turqi.
Tatzgerni është pragmatist: e sheh botën ashtu qysh është dhe jo si do të duhej të ishte. Ai vëren se në mënyrë paradoksale është më e sigurt për refugjatët që të zgjedhin një grup të organizuar mirë. «Mafia, së paku, di më mirë si shkojnë këto punë dhe mafiozët nuk janë kaq shpirtligë si puna e këtyre, të cilët nuk mërziten se puna e tyre në fund kushton me vdekje njerëzish».
Megjithatë, shpirtligësia është gjithkah dhe katastrofat mund të ndodhin përsëri. Në të vërtetë, drama e refugjatëve së fundi ka nisur të marrë jetë të shumta njerëzish dhe njerëzit nuk po marrin parasysh rreziqet e mundshme. Në bujtina dhe strehimore të përkohshme, duket se të gjithë kanë nga një histori për të rrëfyer.
Në mesin e tyre janë tre sirianë, që ishin pjesë e një grupi prej 50 refugjatësh të ngujuar në një minibus, në gjendje jo fort më ndryshe se 71 refugjatët që gjetën vdekjen në fund të gushtit. Këta ishin me fat: ia kishin dalë të çanin tavanin me një thikë dhe ishin arratisur. Pastaj është rrëfimi i treguar prej Reza Golshirit nga Irani dhe Majid Khanit nga Pakistani. Ata takuan trafikantin e tyre, një burrë nga Turqia, në Beograd. U morën vesh që t’i dërgonte për 300 euro nga Beogradi në Vjenë me një Mercedes, ku do të hipnin vetëm pesë pasagjerë. Në fund, burri i paloi 30 burra, gra dhe disa fëmijë në një kamion të vogël të mbyllur nga të gjitha anët me material plastik. Ata dolën jashtë vetëm pasi përdorën një mjet të fortë për të hapur dyert prej brenda. Ditën tjetër u kthyen prapë në Beograd – me 300 më pak në kuleta, por së paku gjallë.
Udhëtimi përgjatë Ballkanit është plot me momente të tilla dhe jo të gjithë janë të njoftuar për ato që i pret kur nisën. Nëpër strehimore përgjatë kufijve sheh njerëz me eshtra të thyera, infeksione dhe gjakderdhje. Por ata nuk thyhen shpirtërisht dhe vazhdojnë rrugëtimin drejt Austrisë, Gjermanisë, Suedisë ose Britanisë së Madhe. Ata që u kanë shpëtuar bombave në Halep ose dhunës në Sudan, Somali e Afganistan – ata që kanë kaluar Mesdheun dhe që kanë ecur në këmbë nëpër Maqedoni – nuk e kanë ndërmend të ndalen para disa rrethojave gjembore.
Fluturojnë çmimet e trafikimit
Ata i mbanë në këmbë shpresa dhe dëshpërimi dhe u duhet ndihmë për të kryer këtë udhëtim. Trafikantët e ofrojnë këtë ndihmë.
Megjithëse Hungaria ka gozhduar kufirin e saj dhe vazhdon të kërcënohet se do ta forcojë edhe më, trafikantët thjesht do të gjejnë rrugë të tjera nëpërmjet Kroacisë a Sllovenisë. Ata gjithashtu mund të fokusojnë vëmendjen në rrugën përgjatë Mesdheut për në Itali. Politikanët afërmendsh se do të vazhdojnë të përpiqen t’i ndalin, vetëm për shkak se lufta e shpallur ndaj trafikantëve krijon përshtypjen se krerët e Europës po ndërmarrin në fund të fundit diçka.
Por derisa nuk do të marrë fund lufta në Siri dhe Irak, e derisa varfëria do të vazhdojë të pllakos vendet në fqinjësinë e Europës, trafikantët do të vazhdojnë të fuqizojnë tregtinë e tyre. Dhe si puna e luftës së drogës më parë, lufta kundër trafikimit të qenieve njerëzore me gjasë do të ketë një efekt sipëror ndaj të tjerëve të mundshëm: fluturim të çmimeve për myshterinjtë.
Rruga e Ballkanit përfundon në Bavari – dhe është bërë fundi i rrugës për shumë trafikantë njashtu. Shteti po mban aktualisht prapa grilave më shumë se 730 të dyshuar për trafikim të qenieve njerëzore. Të tjerë pritet të arrestohen gjatë ditëve të ardhshme. Drejtësia po ka telashe të procedojë të gjitha rastet dhe burgjet janë stërmbushur. Viorel C., nga Rumania, është një prej 28 trafikantëve të dyshuar që po mbahet në burgun e Würzburgut.
Dyshohet se i ka sjellë nëntë sirianë me një minibus VW nga Budapesti në Passau.
Duke folur nga qelia e tij, C. thekson se eprorët i premtuan se do ta paguanin 500 euro për udhëtimin, duke shtuar se vetëm dëshironte të fitonte pak para. «Në vend të kësaj, kam humbur gjithçka», thekson ai. Nëse ka fat, mund të dënohet me kusht. Avokati i tij thotë se gjykatësit po i dënojnë me burgim vetëm ata shoferë që kanë sjellë më shumë se 20 refugjatë.
Njerëz si puna e C. rekrutohen në Hungari dhe u jepen instruksione të prera. U thuhet të mos ndalen derisa të arrijnë në qytetin e parë gjerman pas kalimit të kufirit. Pastaj, u thuhet t’i lënë refugjatët të dalin dhe ata të kthehen menjëherë në Budapest.
Humbja periodike e shoferëve dhe makinave kalkulohet me ngritje të çmimit të trafikimit – humbje të tilla zor se mund të shmangen.
Por kur dikush si puna e C. kapet dhe çohet në burg, është dikush tjetër që thjesht zë vendin e tij. Ka shumë të sojit tillë.
[Mike Baumgärtner, Sven Becker, Rafael Buschmann, Uwe Busse, Jörg Diehl, Fiona Ehlers, Özlem Gezer, Ralf Hoppe, Katrin Kuntz, Maximilian Popp, Jan Puhl, Anna Reuss, Christoph Scheuermann, Andreas Ulrich, Andress Wassermann]
Foto: Procyk Radek / Shutterstock.com