Zgjohen televizionet shqiptare: “Nuk do të transmetojmë asnjë aktivitet elektoral, deri në 22 maj”
Fushata e parakohshme e kandidatëve për bashkinë e Tiranës, nuk do të pasqyrohet më nga Televizioni Klan deri në 22 maj. Ky ishte një vendim i papritur i Tv Klan, i cili ka lajmëruar se do të zbatojë procedurat e Kodit Zgjedhor. Ku thuhet se fushata fillon zyrtarisht në 22 maj 2015.
Deri atëherë ky televizion nuk do të pranojë më “kasetat” që transmetojnë aktivitetet elektorale të partive politike. Sipas Lapsi.al, pritet që edhe televizionet e tjera informative, ABC News, News 24, Ora News dhe A1 Report, të dalin nesër me një vendim për këtë çështje.
Ende nuk dihet nëse televizioni tjetër kombëtar Top Channel, do të mbështesë vendimin e “kolegëve” apo jo.
Nga ana tjetër edhe Kryetarja e KQZ-së, Lefterije Luzi, u ka bërë apel partive politike që të respektojnë kodin elektoral sa i takon nisjes së fushatës zgjedhore.
“Do të merren masa dhe do të ketë ndëshkime për ato parti që do të verifikohen se kanë shkelur kodin elektoral, – tha Luzi, – fushata duhet të fillojë në datën 22 maj dhe duhet të mbyllet zyrtarisht më 20 qershor”. (më shumë)