Viti i terrorit në Evropë
Viti 2015 filloi ashtu si përfundoi: me sulme terroriste në Paris. Në janar qenë në shënjestër revista satirike Charlie Hebdo ku 17 vetë humbën jetën. Në nëntor terroristët islamikë vranë 130 vetë në zemër të Parisit dhe në Stade de France. Në janar presidenti francez, Francois Holande, foli për një barbari monstruoze, tani në fund të vitit ai e sheh kombin në luftë kundër “Shtetit Islamik” në dukje gjithnjë e më i fuqishëm, që vepron në Siri, Irak dhe Afrikën e Veriut.
Sulmet në Paris, mblodhën udhëheqësit e G20, të cilët premtuan solidaritet dhe ndihmë. Megjithatë lufta në Siri vazhdon të shkretojë gjithçka përreth. Ka disa hapa fillestarë për të negociuar një zgjidhje politike, por megjithë luftën kundër ushtrisë terroriste të “Shtetit Islamik” Shtetet e Bashkuara, Rusia, Arabia Saudite, Irani, Franca dhe Turqia ndjekin në rajon synime krejtësisht të ndryshme.
Përveç sulmeve në Paris në Francë kryhen edhe disa sulme të tjera të vogla. Në prill një grua vdes nga plumbat e një atentatori, i cili donte të sulmonte një kishë të krishterë. Në qershor një fabrikë gazi në Lion shpëton për pak nga një sulm. Në gusht një atentator islamist kapet nga pasagjerët në trenin e shpejtësisë së lartë Thalys, para se të sulmojë. Më 18 nëntor një hebre u sulmua në rrugë me thikë.
Në Danimarkë në shkurt vdesin dy persona nga sulme në një qendër kulturore dhe një sinagogë. Edhe në Berlin dhe Londër kryhen sulme me sfond terrorist. Sidomos Turqia dhe Rusia janë goditur rëndë. Në sulmet në Ankara dhe Suruc si dhe në rrëzimin e një avioni rus me pasagjerë mbi Sinai, vdesin qindra njerëz. Edhe ata viktima të islamistëve radikalë.
Kufijtë e hapur brenda Evropës bien dyfish nën presion. Së pari për shkak të refugjatëve, që hyjnë prej muajsh në mënyrë të pakontrolluar, dhe së dyti nga fakti që terroristët mund të udhëtojnë lirisht me pasaportat e tyre të BE-së ose të përzihen me refugjatët dhe të vijnë nga Siria në Francë pa u dalluar. Për këtë arsye, BE-ja do të ruajë dhe të seleksionojë të dhënat e pasagjerëve duke krijuar një kontroll të përbashkët kufitar, sepse vendet si Greqia, Bullgaria dhe Italia janë të mbingarkuara.
/m.g
Burimi: Deutsche Welle