Video-skandali/ A duhet të shkarkohet Sokol Balla, çfarë thonë gazetarët?
Publikimi i videos së gazetarit Sokol Balla, është kthyer në çështjen më të diskutuar këto ditë. Duket se për këtë ngjarje ka një lloj solidariteti mes gazetarëve, të paktën këtë tregojnë opinionet e disa prej zërave më të njohur të shtypit shqiptar.
Veç skandalit, ajo që po diskutohet tani është pyetja: A do të ishte i drejtë shkarkimi i drejtuesit të Top Story nga ana e Top Channel?
Mustafa Nano, që po përgatit një shaqje të tipit “one-man show” dhe për pasojë vjen nga një periudhë pushimi në shtypin e përditshëm, është shprehur se nuk i rrihej pa thënë diçka rreth asaj që e quan ngjarja e ditës.
Në shkrimin e tij, mban një qëndrim të fortë mbështetës ndaj Sokol Ballës, e vetmja poshtërsi në këtë mes sipas Nanos, është që një person po kryqëzohet për jetën e tij intime, që i është filmuar me dëshirën e tij, por i është publikuar pa dijeninë e tij.
Turjan Hyska, drejtues i emisionit Oktapod në Vizion Plus, i bën thirrje Ballës që të dalë e tu flasë shqiptarëve: “Dil Sokol! Dil e folu shqiptarëve! Dil e foli namuzgjarëve të skandalizuar, e pyeti: “Po tani që ma patë, u prish bota? Po grate ç’ju thanë kur ma patë? U skandalizuat bilateralisht? A ja nisët me vrap komshinjve në “Whatsapp”, që të skandalizoheshin edhe ata? S’ju zuri gjumi? Ju kapi një ndjesi ankthi, he? Filluat të kontrollonit lap-topin, celularin, aparatin, he? Ja, ju bëri punë që ma patë!”
Baton Haxhiu në shkrimin i drejtohet Bordit te Top Channel me një disa arsye pse ata t’i refuzojnë spiunet dhe njerëzit që abuzojne me privatësinë.
Më tej ai sjell në vëmendje dy raste nga e kaluara: “Më kujtohet gjithë ai perversitet shkronjash që ishte shigjetuar ndaj Inis Gjonit dikur, në një moment intimiteti me të dashurin e saj.
Para disa vitesh edhe ndaj Edi Ramës u çuan peshë shumë akuzues – që tash janë përkrahës të tij – duke e fyer dhe sulmuar për disa fotografi të kënaqësisë lakuriqe në plazh.”
Botuesi i Shqiptarja.com Karlo Bolino e diferencon rastin e gazetarit Balla nga “skandalet” me në qendër personazhe të politikës: “Sokol Balla është vetëm një gazetar dhe jo një politikan i zgjedhur që duhet t’i japë llogari opinionit publik edhe për jetën e tij private; pra, parë nga ky këndvështrim ai është viktimë e një kurthi (apo komploti?) që nuk ja njohim origjinën.”
Sipas Bolinos, Sokol Balla është thjesht viktimë dhe Top Channel nuk duhet ta penalizojë.
Mustafa Nano i cili shkruan se ka tentuar të telefonojë Ballën: “E kërkova për t’iu ndodhur pranë. Por nuk ma hapi telefonin. Me siguri, është duke jetuar orë të vështira nën këtë agresion të gardianëve shqiptarë të moralit publik. Kushdo do të ish në të njëjtin hall në vend të tij.
Ai vazhdon më tej duke kritikuar ashpër: “E të mos ngutet ndokush të thotë se “unë nuk mund të isha në vend të Kol Ballës, pasi unë nuk do bëja gjëra të tilla të turpshme”. Bullshit!”