Veliaj iu ofron aktivistëve të Parkut të Liqenit, takim informal për t’iu “mbyllur gojën”
Edhe pas protestave të aktivistëve e qytetarëve kundër projektit tek Parku i Liqenit, kryetari Veliaj nuk u tërhoq dhe tha se nuk ben kompromise, duke i cilësuar protestuesit vandalë. Por sipas aktivistëve organizatorë, atyre iu është ofruar një takim në mënyre informale me kryetarin e Bashkisë së Tiranës.
Grupimi “Për Publiken” e denoncoi kërkesën për takim të fshehtë duke thënë se po vihet në jetë një projekt i dyshimtë dhe pa pëlqimin e qytetarëve.
“Ne besojmë te demokracia e drejtpërdrejt, dialogu dhe gjithëpërfshirja, e për rrjedhojë refuzojmë t’i përgjigjemi një kërkese që kanalizohet në rrugë komunikimi informale”, shkruhet në komunikatën e tyre.
Nga ana tjetër aktivistët thanë se janë të hapur për të diskutuar me kryetarin Veliaj në një debat të gjerë publik të hapur për të gjitha grupet e interesit dhe mediat, pranë Parkut të Liqenit.
Gjithashtu ata i kërkuan Veliajt të kërkojë ndjesë publike për emërtimin vandal si dhe të ndalohen punimet gjatë kësaj periudhe. /m.g