Shoqëria shqiptare dhe komuniteti LGBT+

Nga: Oralda Lahe
Shoqëria shqiptare në mënyrë të shpeshtë e të vazhdueshme ka kaluar nga një sfidë në tjetrën. Në të gjitha hallkat e saj ndër vite është dashur shumë për të kuptuar, e më pas për të marrë vendime të çfarëdolloj natyre qofshin ato. Mbyllja e Shqipërisë për shkak të regjimit komunist, ardhja e demokracisë dhe shumë zhvillime të tjera tregojnë se gjithmonë e më shumë vendi ynë po kërkon të gjejë veten dhe na pret ende një punë e madhe. Mentaliteti, paragjykimet, e ardhmja, e veçanërisht kjo e fundit ka një rrugëtim të gjatë. Në fundjavën e kaluar kam qenë pjesë e një aktiviteti, ku është diskutuar për të drejtat e njeriut, ato LGBT+ si dhe se si media duhet të raportojë, etika që duhet përdorur, terminologjia ,etj. Dinamika, energjia dhe debatet ishin të shumta e të forta, gjë që e bëri edhe më ndërveprues trajnimin. Trajnimi u mbajt nga Zhaklin Lekatari, e cila me shumë profesionalizëm trajtoi tematikat e caktuara dhe mënyrën si duhet t’i qasemi atyre që lidhen me komunitetin LGBT+ në mënyrë sa më profesionale. Gjithashtu të pranishëm ishin dhe aktivistë për çështjen që jam duke sjellë në vëmendje, të cilët padyshim sollën këndvështrimet e tyre. Personalisht kam mundur të bisedoj me ta, më saktë me dy vajza të komunitetit, mësova historitë e rrugëtimin e tyre. Për arsye anonimati nuk mund të nxjerr emrat e tyre, por kjo nuk ndikon aspak në historinë e rrëfyer prej tyre. Prania e vajzave në Paradën e Krenarisë para shumë vitesh ishte e vështirë, ato dilnin të maskuara për mos t’u njohur nga të afërmit, familjarët dhe shoqëria. Vitet e fundit duket se gjërat kanë ndryshuar paksa, por ka ende shumë punë për të bërë. Një tjetër problem mbetet dhe pranimi nga familja. Në momentin e rrëfimit të orientimit të tyre seksual, familja nuk e ka pritur aspak mirë, madje ka patur raste kur fëmija është braktisur. Braktisja sjell vështirësi në jetën e tyre, në punësim, në të qënit shpesh dhe në qendër të vëmendjes pa arsye. Në rrëfim e sipër më është treguar se në disa raste janë bërë pre e dhunës, gjuhës së urrejtjes apo dhe e sharjeve, ofendimeve duke kaluar në rrugë. Sfidat me të cilat përballen, patjetër që janë të shumta dhe nuk arrijmë të japim një shpjegim.
Një mundësi e mirë është dhe qendra ‘’Streha’’ ku shumë pjesëtarëve të komunitetit u jepen disa nga shërbimet më të nevojshme dhe të qenësishme.
Këto janë disa prej fakteve, informacioneve që arrita të sjell për lexuesit. Patjetër që duhet një punë e madhe, e vazhdueshme për të kuptuar, për të raportuar, për të trajtuar çështje e tematika që lidhen me komunitetin LGBT+. Ndërkohë që shoqëritë e tjera të zhvilluara i kanë tejkaluar deri diku këto faza, ne do të na duhet edhe më shumë si shoqëri. Përsa i përket medias, duke qenë një nga profesionet me shumë sakrifica, nevojitet trajtim dhe qasje e veçantë ndaj këtyre çështjeve. Nuk duhet të publikohen lajme e artikuj vetëm për të marrë klikime apo famë por duhet raportim i drejtë e profesional.