Shoqatat mjedisore: Është rritur ndjeshëm gjuetia e paligjshme
Organizatat mjedisore – shoqata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyor në Shqipëri dhe shoqata për Ruajtjen e Shpendëve dhe Gjitarëve të Shqipërisë, kanë dhënë alarmin se Moratorium i Gjuetisë nuk është aq i suksesshëm sa shitet nga qeveria. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp ato thanë se kanë konstatuar dhe dokumentuar një intensifikim të lartë të rasteve të gjuetisë së paligjshme, veçanërisht në dy muajt e fundit.
“Vetëm përgjatë 2 muajve të fundit janë konstatuar dhe dokumentuar 1507 raste të gjuetisë së paligjshme, dhe pritet që këto raste të shtohen, veçanërisht përgjatë kësaj fundjave ku është parashikuar një rënie e ndjeshme e temperaturave, ç’ka shkakton grumbullimin e grupeve të mëdha të shpendëve dimërues në zonat ligatinore,” thuhet në njoftim.
Mjaft shqetësuese duket fakti që pre e gjuetisë së paligjshme janë edhe llojet e rralla të kafshëve si huta, kaprolli, ujku dhe derri i egër. Sipas dy shoqatave mjedisore, “gjuetia e paligjshme është konstatuar në të gjithë territorin e vendit, dhe pothuajse në të gjitha zonat e mbrojtura ligatinore, por edhe në zonat e mbrojtura malore, të cilat kanë qënë në fokus të monitorimit”.
Moratouriumi dy vjeçar i gjuetisë hyri në fuqi në mars të vitit 2014, si masë imediate për mbrojtjen e popullatave të fundit të faunës së egër në Shqipëri, e dëmtuar në vite si pasojë e një gjuetie të shfrenuar, dhe nisur nga dispozitat ligjore në fuqi, afati i këtij moratoriumi përfundon në 15 mars të këtij viti.
Organizatat vlerësojnë ndikimin tërësor pozitiv që moratoriumi ka patur në uljen e gjuetisë në Shqipëri në këto dy vjet, por shprehin shqetësimin se në muajt e fundit, zbatimi i tij ka rënë ndjeshëm dhe situata e vëzhguar në terren cënon seriozisht suksesin dhe përmbushjen e objektivave të moratoriumit. /m.g
Burimi: BIRN